Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Rey Manaj, u bë sot heroi i skuadrës së Albacetes, kur në ndeshjen kundër Rayo Majadahonda, i ka dhënë suksesin minimal 1-0 skuadrës së tij, që marshon drejt objektivit të ngjitjes në La Liga.
Manaj e filloi takimin nga stoli, por u fut në fushë dhe bëri menjëherë diferencën. Ai hyri në fushë në minutën e 73 të ndeshjes dhe pak më shumë se 10 minuta më vonë, dërgoi topin në rrjetë me një gjuajte të jashtëzakonshme nga jashtë zonës.
Festë e çmendur me shokët e skuadrës, duke hequr fanellën për sulmuesin, veprim që i solli edhe një karton të verdhë atij. Por sigurisht që kartoni nuk e shqetësoi as atë dhe as ekipin e Albacetes.
Ekipi administroi mirë këtë avantazh të siguruar në fund dhe mori tri pikët nga ndeshja, duke u ngjitur në vendin e dytë në klasifikim, vetëm 1 pikë larg Granadës së vendit të parë me të cilën ndeshen në ditët e para të janarit.
Ky i sotmi ishte goli i 5-të për Manajn në këtë kampionat, që po rezulton mjaft i suksesshëm për sulmuesin e përfaqësueses shqiptare, ndonëse nuk është titullar fiks në radhët e skuadrës së tij.