MENU
klinika

Lehtësitë për biznesin IT

Ja kush përfiton tatim-fitimi 5%

17.12.2018 - 08:37

Këshilli i Ministrave ka përcaktuar 8 aktivitetet që përfshihen në fushën e prodhimit apo zhvillimit të software-ve, për të cilët do të aplikohet shkalla e reduktuar e Tatimit mbi Fitimin, në masën 5%, nga 15% që është shkalla standarde.

Referuar vendimit, dizenjimi, zhvillimi dhe mirëmbajtja dhe testimi i sistemeve software  janë disa prej kategorive që do të përfimojnë ulje të tatimit mbi fitimin. Gjithashtu, në këto kategori përfshihen edhe  dizenjimi dhe zhvillim sistemesh të komunikimit, dizenjim dhe zhvillim sistemesh të sigurisë, zhvillim sistemesh migrimi, etj.

Ndërkaq, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën me dije se Personat Juridikë, duhet që këto aktivitete të kenë të përcaktuar në statutin e kompanisë si objekt veprimtarie, për të aplikuar normën 5% të Tatimit mbi Fitimin.

Përveç këtyre, aktivitetet e tjera që mund të ushtrojë shoqëria, duhet që të jenë në fushën e teknologjisë së informacionit. Kur veprimtaritë e tjera, nëse ka, nuk bëjnë pjesë në këtë fushë, duhet t’i ndajë me NIPT-e më vete, në mënyrë që të aplikojë shkallën 5% të Tatimit mbi Fitimin.

Gjithashtu, Personi Juridik duhet të paraqesë pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse, një deklaratë ku të shprehet për aktivitetin e objekt-veprimtarisë së tij, për të cilat aplikon këtë shkallë tatimore.

Sipas Tatimeve, duhet të mbahet parasysh që për aktivitetet e tjera ekonomike të fushës së teknologjisë së informacionit, të ushtruara nga personi juridik, do të zbatohet shkalla standarde 15% e Tatimit mbi Fitimin.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Vazhdojnë të shesin dhe blejnë

Mashtrimi me bizneset pasive