MENU
klinika

Përmbledhja ditore e rajonit

Kërkohet unitet lidhur me dialogun me Serbinë

25.12.2018 - 17:30

Kosovë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, përmes një postimi në Facebook ka shkruar se ngjarjet kombëtare e festat fetare na bëjnë bashkë ne shqiptarët – na ka bërë bashkë edhe rreziku i zhbërjes sonë në shumë faza të historisë, sidomos në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar.

Sipas Mustafës, përgjegjësia e gjithë neve nuk është vetëm të marrim përgjegjësi, por që këtë përgjegjësi ta marrim sipas kandarit me të cilin qytetarët tanë na kanë bërë përgjegjës para tyre dhe para Kosovës.

Serbi

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, ka thënë se Beogradi është i gatshëm të vazhdojë dialogun me Prishtinën, atëherë kur taksa të hiqet. Siç thotë ajo, kjo taksë e ka kthyer të gjithë rajonin 50 hapa prapa.

Në një intervistë për Televizionin Publik të Serbisë, Brnabiç, ka thënë se, “ne kemi nevojë për paqe dhe stabilitet. Parakushti për çdo përparim ekonomik është paqja dhe stabiliteti rajonal“.

Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke folur për dialogun në mes Prishtinës dhe Beogradin, e ka konsideruar të turpshme kërkesën e kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiç drejtuar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

…Ju e shihni që kryeministrja e Serbisë po vazhdon me letra për qeveritë e ndryshme nuk i ka ardhur marre me i dërgua letër edhe Edi Ramës me kërkua tërheqjen e njohjes, derisa Serbia ka këso qasje atëherë kuptohet shumë mirë çka kemi vepruar ne”, u shpreh i pari i Qeverisë së Kosovës.

Serbi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se situata e serbëve në Kosovë po përkeqësohet, sepse Prishtina sipas gjitha gjasave deri në vitin e ri nuk do ta heq tarifën për mallrat serbe.

Por, Vuçiç tha se Serbia në të gjitha mënyrat do ta ndihmojë popullin e saj në Kosovë.

Kosovë

Ministri i punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, u shpreh në mbështetje të vendimit të Qeverisë për masat, derisa Serbia vazhdon të urrejë Kosovën dhe popullin e saj.

Reagimi i Pacollit ka ardhur pasi Kryeministri Ramush Haradinaj gjatë ditës së sotme e ka quajtur të turpshme kërkesën e kryeministres serbe, Ana Brnabic drejtuar kryeministrit shqiptar Edi Rama, për tërheqjen e njohjes të Kosovës. /Konica.al/