MENU
klinika

Albert Çaçi

Komplikimet e rrezikshme në Siri

29.12.2018 - 09:00

Natën e 25 dhjetorit 2018, kur në Siri po festonin Krishtlindjet pas 6 vjet luftimesh (Siria, është i vetmi vend i Lindjes së Mesme ku 11% e popullsisë është e krishterë), 6 avionë F-16 izraelitë sulmuan periferinë e Damaskut si për t' iu thënë sirianëve se kënga e famshme e Krishtlindjeve e vitit 1971 e John Lennon Happy Xmas-War is over – nuk vlen për Sirinë.

Në fakt aktualisht Siria po përjeton një moment konfuzioni, ku pas lëvizjes shokuese të Trump për tërheqjen e trupave amerikane, të gjithë aktorët po ripozicionohen për t’iu përshtatur situatës së re, që duhet thënë, i gjeti të gjithë të papërgatitur.

Dhe ai që po e përjeton në mënyrë të veçantë këtë situatë, është Izraeli. Varianti që fatin e të ardhmes së Sirisë do ta vendosin Rusia, Turqia dhe Irani e ka bërë atë jashtëzakonisht vulnerabël.

Izraeli po shikon se varianti më negativ i zgjdhjes së konfliktit iu jep mundësi armiqve të tij kryesorë, Hesbollahëve dhe iranianëve, të forcojnë pozitat pranë kufirit verior të tij.

Sulmi izraelit i fundit ishte sa i guximshëm, aq edhe provokativ dhe i rrezikshëm, pasi mesazhi i parë nuk i dërgohej Asadit, por Putinit.

Duhet theksuar se përsëri bateritë e fuqishme kundërajrore S-400 ruse dhe ato siriane S-300, të furnizuara së fundmi nga Rusia, nuk hynë në veprim. Edhe këtë herë avionët izraelite ndërhynë nga hapësira e Libanit, pa lajmëruar më parë rusët, sipas marrëveshjes që kanë dhe goditën në kohën kur dy avionë civilë të linjave ajrore po uleshin në aeroportin internacional të Damaskut.

Rusët dhe sirianët nuk futën në funksion njësitë e luftës elekronike dhe nuk përdorën gjithë forcën e baterive nga frika se mos godisnin avionët civilë dhe përsërisnin rastin e rrëzimit të IL-20, ku humbën jetën 15 ushtarakë rusë. Madje një nga avionët civilë e devijuan të ulej në bazën usharake ruse të Hmeimin, 300 km në veri të Damaskut .

Putini e ka shumë të qartë se goditja izraelite synon një humbje qetësie dhe rënie në një provokacion mjaft të rrezikshëm. Rusët e dinë shumë mirë se në këtë moment delikat gjeopolitik, të rrëzojnë qoftë edhe një avion të vetëm izraelit, do të thotë të përshkallëzosh në ekstrem konfliktin.

Një veprim i tillë mund të sjellë një anullim të vendimit të Trump, madje mund të çojë në rritjen e trupave amerikane, pa folur për goditje te fuqishme raketore.

Izraeli, duke e ditur shumë mirë, mosdëshirën e Moskës për përshkallëzim, sulmoi, duke dashur t’i demonstrojë se pavarësisht se Siria ka marrë S-300 dhe amerikanët po tërhiqen, ata mund të sulmojnë në Siri sa herë që do ta shikojnë të arsyeshme.

Por kjo është një lojë shumë e rrezikshme, dhe me pasoja të rënda për gjithë rajonin.

Rusët në këtë moment duhet të administrojnëme shumë kujdes situatën, pasi tani që objektivat e tyre kryesore i kanë arritur, mundtë gjenden në mes të një konflikti akoma më impenjativ, që do të kërkonte trupa shtesë dhe shpenzime financiare. Tre anije transporti armatimesh ruse janë duke u drejtuar për në Tartus, gjë që tregon se rusët po, edhe kurdët në Srinë verilindore në lindje të Eufratit.

Në fakt Putini i ka të qarta piruetat që ka kryer Turqia në 5 vitet e fundit në lidhje me Sirinë dhe i trembet një dalje nga marrëveshja e Socit (Rusi-Turqi-Iran), pasi Turqia mund të rikthehet në pozicionet e 2015, e rreshtuar me pozicionet e Perëndimit.

Për këtë Rusia, me shpejtësi e detyroi Asadin të nënshkruajë me kurdët, tashmë të ngelur vetëm përballë tankeve turke një marrëveshje për një Siri tip federale dhe kurdët të lejojnë që ushtria siriane të rimarrin kontrollin e territorit të tyre dhe të vendosen në kufirin shtetëror me Turqinë.

Veprimi i parë, pardje ishte dorëzimi i qytetit të Manbinj (objektivi primar i ofensivës së re turke); trupave te Assadit, duke nervozuar së tepërmi Erdoganin. Në qytetin e Manbinj ishin të dislokuara edhe njësi speciale të SHBA, por që siç duket kanë filluar tërheqjen, pasi tashmë për ta territoret nën zotërimin e kurdëve nuk janë me miqësorë, pas vendimit të fundit të Trump.

Tani kartat përzihen përsëri, dhe ky është varianti me i keq për Erdoganin, ku përballë nuk do ketë trupat kurde të YPG, por ushtrinë shtetërore të Sirisë, që nga mbrapa ka Rusinë dhe Iranin.

Prandaj Erdogani po kërkon një takim urgjent me Putinin për të sqaruar situatën që po bëhet shumë konfuze edhe për trurqit dhe çdo gabim mund të kushtojë rëndë.

Putini i bëri edhe një “shaka” tjetër Erdoganit. Në marrëveshjen e nënshkruar nga Assadi dhe Kurdët, garant do të jenë Rusia dhe Egjipti. Futja në lojë e Al Sisit është pritur me mjaft nervozizëm nga Erdogani, pasi midis Turqisë dhe Egjiptit janë të ndërprera marrëdhëniet diplomatike pas grushtit të shtetit kundër Morsit.

Situata në frontin verilindor është mjaft e komplikuar dhe nga një takim i mundshëm Putin – Erdogan mund të tentohet një zgjdhje, pasi varianti ku Erdogani ndërmerr ofensivën dhe ndeshet me ushtrinë e Assadit, do të kemi një përplasje midis dy ushtrive shtetërore, duke i dhënë një dinamikë tjetër luftës në Siri.

Ndërsa në frontin jugor me Izraelin, situata është akoma me delikate, dhe kërkon një sjellje mjaft të kujdesshme dhe të ponderuar.

Shqetësimi i Izraelit nuk është Assadi, madje edhe në bombardimin e fundit nuk u synuan trupat siriane por bazat e hesbollahëve dhe iranianëve.

Izraelit po i krijohetbindja se Rusia tashmë nuk e kontrollon gjithë situatën dhe nuk mund t’i japë gjithë garancitë që ai kërkon, pasi një grup brenda kastës së Assadit është për të forcuar më shumë marrëdhëniet me Iranin, dhe ky përbën shqetësimin kryesor të tij.

Po të nisesh nga deklaratat e ish-ministrit të mbrojtes, që dha dorëheqjen 2 muaj më parë, A.Lieberman, ky skenar i zhvillimeve në Siri mbas largimit të trupave te SHBA dhe lirisë operative të fituar nga hesbollahët dhe iranianët, do të bëjë të pashmangshëm një sulm të Israelit ndaj Sirisë jugore dhe Libanit jugor, në fillimin e 2019.

Ky variant përforcohet edhe nga fakti që në prill në Izrael do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare, dhe siç dihet, temat e sigurisë janë detereminante në fushatë, kurse ëështjet e tjera, përfshirë edhe ato ekonomike, janë sekondare.

Pra, siç duket situata në Siri në këtë fazë është mjaft delikate dhe çdo humbje emotive e durimit ose gabim llogaritje të situatave operative dhe forcave, mund t’i japë rrugë një konflikti shumë herë më të madh se vetë ai i luftës 6-vjeçare siriane, pasi në këtë skenar mund të ketë pjesëmarrje direkte të ushtrive shtetërore dhe jo gjithfarë rebelesh të çakorduar dhe indoktrinuar.

Ndoshta lëvizja e Trump (që kritikohet nga shumë drejtime) mund të jetë një lëvizje mjaft e kalkuluar, që duke dalë nga skena trupat amerikane, konfliktet ndërnjet palëve (Rusi, Turqi, Iran, Izrael dhe vetë Siria) mund të degradojnë në atë shkallë, ku mund të kërkohet një rindërhyrje  e re  amerikane, por këtë radhë në përmasa dhe objektiva komplet të ndryshme, që mund ta ndryshojnë krejt skakierën e Lindjes së Mesme.

Viti 2019 nga sa po duket, vështirë se mund të jetë viti i përfundimit të konfliktit të përgjakshëm, dhe  sirianët  ndoshta do t’i ndjekë edhe këtë vit mallkimi i luftës, ndoshta më absurde në gjithë historinë e Lindjes së Mesme, ku të gjitha palët po rikthehen aty ku e nisën në 2011.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Analiza/ Albert Çaçi

Plani i shekullit