Kosova dhe Shqipëria kanë filluar me zbatimin e marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit.
Nënshkrimi i marrëveshjes është bërë nga ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Ekrem Mustafa dhe ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj.
“Ajo që dikur ishte pikë kufitare e Kosovës, nuk ekziston më, është hequr në tërësi. Kemi edhe pjesën tjetër të zhvillimit të marrëveshjes të nevojshme, protokolleve të nevojshme, që të mos ndalen makinat pra këtu por të ndalën një në disa vetëm për shkak të çështjeve të caktuara të rutinës“, tha kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit.
“Pra nuk do të jenë dy kontrolla, por do të jetë vetëm një dhe shpresoj që deri më dy prill ky kufi të të jetë pika që na bashkon“, shtoi Haradinaj.
Qëllimi i Marrëveshjes është që palët të angazhohen për thjeshtësimin dhe përshpejtimin e verifikimeve kufitare, për lehtësimin e qarkullimit të shtetasve dhe mallrave. /Konica.al/