MENU

Nga New York Times

Marrëveshja e Parisit për klimën mbijetoi!

16.12.2018 - 11:23

Diplomatët nga gati 200 vende arritën një marrëveshje të shtunën për të mbajtur gjallë marrëveshjen e klimës së Parisit duke miratuar një grup të detajuar rregullash për zbatimin e paktit.

Marrëveshja, do të kërkojë që çdo vend në botë të ndjekë një sërë standardesh për matjen e ngrohjes së planetit dhe ndjekjen e politikave të tyre klimatike. Dhe u bën thirrje vendeve të rritin planet e tyre për të ulur emetimet përpara një raundi tjetër bisedimesh në vitin 2020.

Gjithashtu u bën thirrje vendeve më të pasura që të jenë më të qarta për ndihmën që ata synojnë të ofrojnë për të ndihmuar vendet e varfëra të instalojnë më shumë energji të pastër ose të mbrohen kundër fatkeqësive natyrore.

Shtetet e Bashkuara ranë dakord për marrëveshjen pavarësisht premtimit të Presidentit Trump për të braktisur Marrëveshjen e Parisit. Shtetet e Bashkuara nuk mund të tërhiqen formalisht nga marrëveshja deri në fund të vitit 2020.

Shumë nga pjesëmarrësit në bisedimet për klimën e Kombeve të Bashkuara të këtij viti, të njohur si COP24, shprehën zhgënjimin nga masat për t’u marrë me një krizë të tillë. Miliona njerëz po përballen me rreziqe të mëdha nga thatësirat, përmbytjet dhe zjarret.

Por përkrahësit e marrëveshjes të shtunën, thanë se ata shpresonin se rregullat e reja do të ndihmonin në ndërtimin e besimit dhe bashkëpunimit midis vendeve, në një kohë kur politika globale duket gjithnjë e më “e thyer”.

Jo çdo vend mori atë që donte gjatë takimit, i cili ishte planifikuar të përfundonte të premten. Vendet në zhvillim shpresonin për premtime “më të fuqishme” për ndihmën ndaj klimës, por kjo çështje është shtyrë për bisedimet e ardhshme.

Në disa vende, pengesat politike ndaj veprimeve klimatike janë në rritje.

Për shembull, në bisedimet e Polonisë, disa zyrtarë të Bashkimit Evropian premtuan se blloku do të marrë masa më të forta për të ulur emetimet përpara vitit 2020. Por brenda bashkimit, diskutimet  janë zvarritur, pjesërisht për shkak se Britania është e shpërqendruar nga Brexit ; Franca po lufton me protestat e “jelekverdhëve”; dhe Gjermania po përballet me vështirësitë e veta.

Catherine McKenna, ministrja e mjedisit të Kanadasë tha “Ndryshimi i klimës është një problem i komplikuar, dhe nuk do të zgjidhet vetëm nga qeveritë kombëtare”.

Brad Plumer është një gazetar që mbulon ndryshimet klimatike, politikën e energjisë dhe çështje të tjera mjedisore për ekipin e The Times.