Numri i futbollistëve shqiptarë që luajnë për Lazion, si tek ekipi i parë, apo edhe te Primavera, është relativisht i lartë dhe pritet që nga dita në ditë, të ketë edhe më shumë afrime të tjera.
Portali “Insporti.com” raporton se me skuadrën laciale ka shkuar për t’u provuar edhe një talent nga kampionati kosovar. Bëhet fjalë për qendërmbrojtësin e ri Guri Hana, i cili është paraqitur te Lazio para një jave dhe ndërmjetës për këtë provë është bërë drejtori sportiv Igli Tare.
Ai do të qëndrojë disa ditë në akademinë e Lacios e më pas do të merret një vendim në lidhje me të, nëse do të qëndrojë apo jo.
Në fakt, kjo nuk është hera e parë që ai provohet në Itali, duke qenë se gjatë verës ishte edhe tek akademia e Atalantës për provë. Aktualisht, ai aktivizohet për të rinjtë e 2 Korrikut, ndërkohë që është grumbulluar edhe nga trajneri i Kosovës U-19.