Një transferim i bujshëm është bërë shkak për të ngritur çështje gjyqësore. Momenti kur Elis Bakaj la Shqiëprinë për të firmosur kontratë pesëvjeçare me klubin legjendar të Dinamos së Bukureshtit ishte lavdi dhe arritje për futbollistin shqiptar.
Këtë ndërmjetësim e bëri legjenda Sulejman Demollari, që kishte luajtur në fillimin e viteve 90’ te skuadra e Dinamos së Bukureshtit, atje ku ai është një idhull sot e kësaj dite. Demollari arriti akordin për ta pasuar këtë të fundit pikërisht të skuadra rumune.
Mirëpo, ajo marrëveshje e vitit 2011 nuk është likuiduar financiarisht nga vetë futbollisti dhe për këtë, “Panorama Sport” bën me dije se Demollari ka ngritur një padi civile.
Ish-legjenda e Kombëtares që ka bërë histori edhe jashtë vendit, i është drejtuar dyerve të gjykatës për të kërkuar një pagesë e cila sipas pretendimit, nuk i është paguar që prej vitit 2011.
Demollari ka bërë ndërmjetësin mes Elis Bakajt dhe klubit të Dinamos së Bukrueshtit, për të cilën me anë të një kontrate kërkon ende pagesën financiare për komisionet. Kjo, në padi shtuar edhe me kamatëvonesat e secilës pagesë. Bakaj aktualisht po luan në Bjellorusi, ku ka shkëlqyer me Shakhtor Soljigorsk.