Trajneri i Kombëtares, Christian Panucci, pas zërave të sotëm që e dërgonin te skuadra e Romës, ka mohuar kategorikisht lajmin e bërë publik paraditen e sotme në mediat italiane.
Sipas “Panorama Sport”, tekniku italian ka zbuluar se nuk ka asnjë kontakt me klubin e Serie A, duke respektuar kështu kontratën me FSHF-në.
“Unë me klubin e Romës nuk kam absolutisht asnjë kontakt. Për më tepër, kam kontratë me Federatën Shqiptare të Futbollit”, – deklaroi trajneri i Shqipërisë për “Panorama Sport”.
Ishte gazeta italiane “Il Messagero” që sot shkruante se Panucci mund të merrte drejtimin e Romës pas rezultateve aspak bindëse të trajnerit Di Francesco. Për momentin, ky lajm është hedhur poshtë nga vetë trajneri.