MENU
klinika

Rasti Kacifas

Policia: Asnjë grek nuk do futet sot në Shqipëri

08.12.2018 - 09:25

Asnjë shtetas grek nuk do lejohet të hyjë sot në Kakavijë për asnjë lloj qëllimi. Sipas burimeve të policisë në Gjirokastër, rreth 300 persona, shtetas grekë janë kthyer nga policia shqiptare në Pikën Kufitare të Kakavijës.

Mësohet se ka pasur kthime masive të shtetasve grekë që kanë dashur të hyjnë në territorin shqiptar për të marrë pjesë në ceremoninë e 40-ave të Konstandinos Kacifas.

Ndërkohë që ka pasur persona të tjerë që janë konsideruar të rrezikshëm nga policia e Kakavijës që janë marrë për verifikim nga Kakavija në Komisariat për të kontrolluar dokumentet. Dje ka pasur persona nga Greqia që kanë shkuar në Bularat e me sa duket nuk do të ketë të tjerë. Forca policie qëndrojnë përgjatë gjithë rrugës Gjirokastër-Kakavijë duke ushtruar kontrolle të rrepta.

Dy tubime do të mbahen sot në rrethin e Gjirokastrës. I pari në Bularat për nder të Konstandinos Kacifas, i cili bën ceremoninë e 40-ave dhe i dyti në qytetin e Gjirokastrës.

Nuk dihet nëse do ketë një tubim të ngjashëm antishqiptar si ai i ceremonisë së varrimit të Kacifas. Organizatorët e këtij tubimi kanë kërkuar leje për zhvendosjen nga qendra muzeale e qytetit deri në hyrje të tij, në rrugën nacionale te “Ura e lumit”.

Nga ana tjetër polica e Gjirokastrës ka dhënë leje për organizimin e tubimit vetëm në “sheshin e Çerçizit” prej orës 11:00 deri në orën 13:00.