MENU
klinika

Rezultati historik

Presidenti kujton ndeshjen Shqipëri-Gjermani 0-0

17.12.2018 - 11:52

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, është një dashamirës i madh i sportit. Ai ka qenë vetë peshëngritës, ndërsa ka provuar të bëjë edhe komentatorin radiofonik sportiv për futbollin.

Tashmë në rolin e kreut të shtetit, Meta nuk rresht së vlerësuari e dekoruari njerëz të kësaj fushe. Po ashtu, përkujton momente të veçanta, të cilat kanë mbetur në memorien e sportdashësve shqiptarë.

Kështu ka bërë edhe këtë mëngjes 17 dhjetori, duke na dërguar me kujtesën e tij para 51 viteve, kur kombëtarja shqiptare në futboll barazonte pa gola me Republikën Federale të Gjermanisë. Ky barazim i bardhë do t’i eliminonte nënkampionët e botës në fuqi, duke bërë që për kuqezinjtë tanë të shkruanin të gjitha mediat europiane e më gjerë. Ja statusi evokues i presidentit Meta:

“Si sot 51 vite më parë, Shqipëri-R.F.Gjermanisë 0-0. Ky rezultat historik për ekipin tonë kombëtar të futbollit dhe skualifikimi i nënkampionëve të botës e riktheu vendin tonë të harruar në Europë përmes futbollit të luajtur me aq pasion e dashuri nga ai ekip i jashtëzakonshëm, që është gdhendur thellë në kujtesën dhe zemrën e të gjithë sportdashësve.

Të gjithë kujtojnë ende me nostalgji golin e paparë të Gjinalit, që vetëm arbitri nuk e pa! Një homazh dhe vlerësim të veçantë për të mëdhenjtë, të cilët nuk jetojnë më, Loro Boriçi, Lin Shllaku, Josif Kazanxhi, Panajot Pano, Medin Zhega e Frederik Jorgaqi. 

Një mirënjohje të veçantë për ata, të cilët akoma na përcjellin ato emocione të paharruara si Koço Dinella, Alfred Gjinali, Teodor Vaso, Ramazan Rragami, Ali Mema, Sabah Bizi. Respekt për të gjithë Ju!”

Sa për kujtesë, bëhet fjalë për ndeshjen e raundit paraprak (grupi 4), e luajtur më 17 dhjetor 1967, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” të kryeqytetit. Shqipëria drejtohej asokohe nga trajneri Loro Boriçi.

Në fakt, pika e këtij barazimi ishte e vetmja e kuqezinjvë në këtë fushatë kualifikuese, që nxori si të parën e grupit Jugosllavinë me 6 pikë, ndërsa Gjermania Perendimore e dyta, me 5 pikë.

Formacioni startues i Shqipërisë në atë ndeshje të paharrueshme ishte ky: Koço Dinella, Frederik Gjinali, Frederik Jorgaqi, Lin Shllaku, Teodor Vaso, Ramazan Rragami, Ali Mema, Josif Kazanxhi, Sabah Bizi, Panajot Pano, Medin Zhega.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ylli i dy Dinamove dhe i Kombëtares

Demollari, legjenda që tronditi “Wembley”