MENU
klinika

Nga Mentor Nazarko

Pse protesta e studentëve është lajm i mirë ?

07.12.2018 - 16:59

Protesta studentore e ditëve të fundit është lajmi i mirë për të ardhmen e shoqërisë shqiptare, dhe nëse nuk do ketë ndonjë pasojë në përmirësimin e universiteteve tona. Ajo është dëshmi se fryma protestative në shoqëri ekziston, është e fortë dhe nëse gjen kanalet më të mira të organizimit, të shpërfaqjes, ajo del dhe ushtron ndikimin e vet.

Ky lajm mbi protestën është kapërcim i besimit të përgjithshëm se ajo kishte vdekur. Ky besim frymëzonte nga njera anë pesimistët të zgjidhnin hipoteza të frikshme për sjelljen e ndryshimit- ose revolucione të ngjashme me 97, ose agoni pa rotacion, ku të gjithë ishin të ligj ; votuesit me preferencat e tyre të gabuara ; të huajt që mbështesnin palën e gabuar ose bliheshin prej saj, dhe tre bandat që alternoheshin, nëse mund të alternoheshin pa sjellë ndryshim real pozitiv.

Protesta e studentëve pra është dëshmi se shoqëria, pjesa më e organizuar e saj, brezi i ri i grumbulluar në të ashtuquajturat universitete, në kushtet kur nuk ka kapital prodhues, nuk ka sindikata, e don ndryshimin dhe nuk është e kënaqur me amullinë, apo ecjen mbrapa.
Protesta studentore është lajm i mirë se tregon që prirja për ndryshim nuk mund të organizohet domosdoshmërisht me format klasike të blerjes së protestës nga partitë politike, nga krijimi i prototipit të protestuesit të dhunshëm që njëlloj si kokat e dashit në sulmet mesjetare mbi kështjellat, thyente dyert e tyre. Dhe kësisoj është një mësim për partitë politike, kryesisht për opozitën e sotme.

Kjo opozitë në pamundësi të funksionojë me këtë model, po rreket të fusë duart në protestën studentore, diçka që hëpërhë ngjan e pamundur. Ja ka dalë të kontrollojë protestën gjithashtu të ligjshme të Astir-it, ku kombinohet dëshira e dëshpëruar e opozitës për të mbajtur të hapura vatra përplasjeje me financimin e atyre bizneseve që do prishen, por tek studentët nuk duket ndikimi i saj. Ndikimi politik sjell protestues si Danieli, që hodhi kapsollën e egër mbi policen e re, por studentët nuk duan politikën e asnjerit krah dhe kjo është shenjë e mirë.

Protesta sigurisht është antiqeveri, apo antiregjim nëse doni, duke u përplasur me një qeveri që në mandatin e vet të dytë, është e prirur të degjenerojë, të rutinizohet, të mos dëgjojë zërin e qytetarëve. E motivuar nga kërkesa ekonomike ajo vë gishtin në plagë në një sistem arsimor, i cili dhe kur është publik, është i shtrenjtë, kësisoj protesta tregon varfërinë e kësaj shoqërie.

Sepse protesta e sotme është protestë apolitike- në fakt apartiake dhe kjo e bën atë më natyrale, më autentike dhe më të dobishme shoqërisht. Njëlloj katarsisi shoqëror që vjen nga poshtë, kur nuk janë baballarët që formësojnë bindjet politike të prindërve, por e anasjellta, janë bijtë që bëjnë prindërit të flasin për ta dhe të ndikohen prej tyre. Paradoksalisht ndonëse protesta nënkupton konflikt, kundërvënie, pikërisht apartiakizmi, fryma transversale që karaterizon protestën sjell pajtim në shoqëri dhe mbush hendeket ndarëse të krijuar nga partitë.

Protesta e sotme studentore është sfidë për turpërim për klasën tonë akademike gjithashtu, e cila po fshihet pas tyre në formën e solidarizimit, sepse ka qenë e paaftë të ndryshojë diçka vetë për të përmirësuar fatin ekategorisë profesionale që përfaqëson. Edhe sikur protesta të frymëzohet pjesërisht nga dëshira për të prodhuar diçka më zbavitëse, më të mediatizuar, të fejsbukizuar sesa të ndejturit në klasë, në leksione të programeve që gjithmonë e më shumë po shkëputen nga tregu i punës, ajo ja vlen. Po rrit kompaktësinë kombëtare të studentëve që janë ngritur në të gjithë vatrat e arsimit universitar njëherësh, po rrit dhe përmirëson vizionin e përbashkët të studentëve për raportin me shtetin dhe të ardhmen e tyre.

Protesta e sotme është një sfidë për opinionin e dominuar nga foltore, apo tryeza debati manipuluese në leximin e realitetit, ku kritikë- ish shokë të pakënaqur të kryeministrit, përplasen me të, dhe ku opozita nuk po gjen ende veten. AJo po prodhon figura të reja, të cilat janë të këndshme kur artikulohen publikisht apo mediatikisht.

Protesta me gjithë ngjyrimet e saj është shpresë se këto vatrat universitare vendore nuk qenkëshin vatra parazitizmi, ku nuk mësohet asgjë, ku gjithçka është fiktive dhe raporti me intelektualen është zbehur gjithmonë e më shumë.
E ndikuar nga jashtë, nga protestat e jelekëverdhëve francezë, megjithatë ajo është e përmbajtur në përplasjen me autoritetet. Ndërkohë për të gjithë arsyet e mësipërme, kjo protestë, e ngjashme me ato të vitit 1968, pritet të afektojë dhe shoqërinë në përgjithësi, për të sjellë ndryshime epokale në një vend i cili ende nuk ka dalë nga tranzicioni prej 28 vjetësh.

Në këtë kuptim, protesta ja vlen dhe duhet të mbështetet, edhe pse mungesa e koherencës në një aktivitet social si ky, tërësisht spontan mund të prodhojë mëdyshje, sinjale të rreme për ndaljen e saj, apo përpjekje për manipulim politik apo rrëshkitje në dhunë. Arti i protestës po i mëson studentëve dhe artin e politikës, të negociatave në kushte transparence. Nderim për studentët dhe nëse kanë gabim diçka.