UEFA ka hedhur sot shortin e Eliminatoreve të Kampionatin Europian të U-21 dhe sferat kanë qenë të pamëshirshme, pasi kanë vënë Shqipërinë në një grup mjaft të veçantë, ku rivale do të jetë edhe Kosova.
Në shortin e hedhur sot në Nion të Zvicrës për edicionin 2021, fati nuk ka qenë aspak me kuqezinjtë, të cilët renditeshin në vazon e 5-të falë dështimeve në edicionin e fundit, ku grumbulloi shumë pak pikë.
Nga vazo e parë ajo peshkoi Anglinë, skuadrën e dytë për nga koeficienti i vështirësisë. Nga vazo e dytë doli emri i Austrisë, përsëri ekipi më i fortë i mundshëm nga kjo vazo, i cili ashtu si Anglia ka siguruar pjesëmarrjen në fazën finale të Europianit që zhvillohet në vitin e ardhshëm në San Marino.
Edhe Turqia nga vazo e tretë nuk cilësohet kurrsesi një ekip i përballueshëm, pasi ka një brez të talentuar lojtarësh dhe me përfaqësueset e moshave bën gjithmonë mirë.
Ndërkohë, nga vazo e katërt në grupin e Shqipërisë është vendosur Kosova, e cila ndonëse kishte marrë pjesë vetëm në një edicion të Europianit, renditej më lart se Shqipëria në vazo për shkak të rezultateve të mira që kishte siguruar.
Ky do të jetë padyshim testi më i vështirë për kuqezinjtë e Bushit dhe përballja e parë zyrtare si rivalë mes dy ekipeve do të ndezë jo pak atmosferën. Prej kohësh ka filluar një rivalitet i ndezur në distancë mes përfaqësueseve të dy vendeve e tani në ndeshje zyrtare do të jetë mundësia të shihet forca reale e tyre.
Ndërkohë, nga vazoja e fundit ka dalë emri i Andorrës, i vetmi rival me të cilin mund të thuhet me siguri të plotë që Shqipëria e përballon pa probleme në këtë grup.