“Nëse ne quhemi ngelësa atëherë sistemi juaj është ‘What the fu*k’. Ky është një nga ata mesazhet e shumtë që vjen nga protesta e studentëve, e cila ka hyrë në ditën e tretë të saj.
Mes ironisë studentët thumbojnë qëndrimin e kryeministrit Edi Rama për protestën e studentëve. Mes parullave të shumta, spikat dhe ajo ku shkruhet; “Ne jemi ngelësit”.
Studentë të universiteteve publike në Tiranë, dhe jo vetëm i janë bashkuar sot protestës para Ministrisë së Arsimit, ku kërkojnë plotësimin e 3 kërkesave të tyre.
Pavarësisht shfuqizimit të VKM për tarifën e provimeve të mbartura, studentët nuk tërhiqen nga protestat e tyre deri në plotësimin e të gjitha kërkesave.
Studentët kanë bojkotuar edhe sot mësimin, ndërsa nga të gjitha fakultetet e Tiranës janë mbledhur tek Ministria e Arsimit. Studenteve të Tiranës, iu bashkuan edhe bashkëmoshatarët e tyre nga Universiteti i Elbasanit, ndërsa pritet të vijnë edhe ata nga Durrësi dhe Vlora.