Deri më tani nuk kam qenë dakord me largimin e Presidentit Trump nga detyra. Ndjeja se do të ishte më mirë për vendin që ai të linte vendin përmes rrugës nga hyri, përmes kutisë së votimit. Por javën e kaluar mendova se është koha që Trump të largohet, dhe mendoj se dhe shumë amerikanë kanë menduar njësoj.
Ishte momenti kur duhej të pyesje nëse mund të mbijetojmë me të vërtetë edhe dy vjet me Trump si president, nëse ky njeri dhe sjellja e tij e çmendur, e cila do të përkeqësohet më shumë, do të destabilizojë vendin tonë, tregjet tona, institucionet tona kryesore dhe pastaj edhe botën.
Dhe prandaj heqja e tij nga detyra tani duhet të shqyrtohet si ide.
Unë besoj se zgjedhja e vetme për Partinë Republikane sot është t’i bëjnë të qartë presidentit se nëse nuk ka një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si ai sillet, ata nuk do të kenë zgjidhje tjetër veçse t’a largojnë.
Largimi i këtij presidenti duhet të jetë një akt i bashkimit kombëtar, ose përndryshe do ta përçajë vendin edhe më shumë. Unë e di që një veprim i tillë është shumë i vështirë, por ka një krizë udhëheqje amerikane që po përkeqësohet.
Sjellja e Trump është bërë kaq e çrregullt, gënjeshtrat e tij kaq të vazhdueshme, gatishmëria e tij për të përmbushur funksionet themelore të presidencës, pra leximi i librave informues, konsultimi me ekspertët qeveritarë mungon, dhe kundërshtimi i aleatëve, tregojnë se dy vitet e tjerë të tij në detyrë mund të përbëjnë një kërcënim real për kombin tonë.
Dëmi që Trumpi mund të bëjë shkon përtej kufijve tanë. Amerika është themeli i stabilitetit global. Dhe ky është një komb që gjithmonë ka mbrojtur vlerat universale të lirisë dhe të drejtave të njeriut, një komb që gjithmonë ka punuar për të stabilizuar sistemin global dhe kombi që ka mbrojtur përherë aleancat.
Donald Trump e ka provuar herë pas here se ai nuk di asgjë për historinë apo rëndësinë e Amerikës. Kjo tregohet qartë në letrën e dorëheqjes së Sekretarit të Mbrojtjes Jim Mattis.
Trump mendon se i gjithë rrjeti i institucioneve globale dhe aleancave të ndërtuara pas Luftës së Dytë Botërore, që kanë krijuar këtë epokë të pashembullt të paqes dhe prosperitetit, kërcënon sovranitetin amerikan dhe prosperitetin dhe se jemi më mirë pa to.
Pra Trump kritikon si Bashkimin Evropian, ashtu edhe NATO-n. Këto janë institucione që patjetër duhet të përmirësohen, por jo të shkatërrohen.
Nëse Amerika bëhet grabitqare për të gjitha traktatet, institucionet multilaterale dhe aleancat që mbajnë botën së bashku; nëse Amerika shndërrohet nga spiranca e stabilitetit në botë në një motor të paqëndrueshmërisë; kujdes: fëmijët tuaj do të rriten në një tjetër botë.
Herën e fundit që Amerika u distancua nga bota në këtë mënyrë ishte në vitet 1930, dhe ju kujtohet se çfarë erdhi pas kësaj? Lufta e Dytë Botërore.
Pra, çfarë të presim nga presidenti? Kjo është ajo që tregjet financiare po pyesin. Po sikur të zhytemi në një krizë ekonomike dhe presidenti tua hedhë fajin të tjerëve?
Ah, na thuhet se Trump është një lloj tjetër presidenti. “Ai është një ndërprerës.” Jam dakord me Trump për nevojën e prishjes së status quos në marrëdhëniet tregtare të SHBA-Kinës, për të rishikuar praninë tonë në vende si Siria dhe Afganistani dhe për të eleminuar disa rregulla në biznes.
Por shumë shpesh Trump merr vendime pa ndonjë plan për atë që vjen më pas. Ai ka punuar për të shkatërruar Obamacare pa plan. Ai njoftoi një tërheqje nga Siria dhe Afganistani pa u konsultuar me kryetarin e Shefave të Përbashkët të Shtabit, ose me ekspertin më të lartë të Departamentit të Shtetit, e aq më tepër aleatët tanë.
Në të vërtetë, ndërprerja më e madhe e Trump ka qenë sulmi ndaj normave dhe vlerave demokratike. Dhe tani që Trump e ka liruar veten nga të gjitha kufizimet nga stafi i Shtëpisë së Bardhë, kabineti dhe partia, ai është më i lirë se kurrë për ta bërë Amerikën siç ai do.
Nëse Amerika bëhet e egër dhe gënjeshtare, si vetë Trump, thjesht nuk mund ta imagjinoni se sa të paqëndrueshme mund të bëhen tregjet botërore dhe gjeopolitika.
Thomas L. Friedman është kolumnisti i punëve të jashtme. Ai u bashkua me gazetën në vitin 1981 dhe fitoi tre çmime Pulitzer. Ai është autor i shtatë librave, duke përfshirë “Nga Bejruti në Jeruzalem”, i cili fitoi Çmimin Kombëtar të Librit./konica.al