Përpara Krishtlindjeve, ndërmjet Turqisë dhe Izraelit u shkëmbyen një sërë akuzash shumë të rënda që janë tipike për vende në prag konfrontimi.
Mjafton të shikosh disa prej tyre për të kuptuar se deri ku kanë shkuar gjërat.
Ministri i jashtëm turk Calhanoglu deklaroi se Netanjahu është një vrasës modern i ftohtë që masakron popullsinë e pafajshme palestineze në Gaza duke vrarë gra dhe fëmijë.
I përgjigjet Netanjahu, ne nuk marrim leksione nga një shtet që mban të pushtuar për 44 vjet Qipron Veriore, që ka ndërhyrë pa mandat në Sirinë Veriore duke masakruar gra dhe fëmijë kurde duke kryer genocid ndaj tyre (nënkupton Afrinin).
I kundërpërgjjgjet Erdogani, Netanjahu nuk ia ka idenë çështjes kurde dhe Izraeli nëpërmjet kartës kurde kërkon që të ndajë Sirinë, por përpara se të merret me kurdët bën mirë të shikojë problemet e korrupsionit që e akuzon policia e tij.
Do të mjaftonte interpretimi i kësaj gjuhe, me vrasës të ftohtë dhe, masakrues grash dhe fëmijësh dhe të korruptuar për të kuptur shkallën e degradimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.
Realisht midis dy vendeve nuk ka marrëdhënie dipolomatike normale pasi ato janë ndërprerë në vitin 2010 kur mbi një anije turke Mavi Marmara të ONG “Freedom Flotilla” të drejtuar drejt Gazës për ndihma për popullsinë ndërhynë trupat speciale izraelite duke vrarë 9 persona me shtetësi turke dhe duke kthyer mbrapsht anijen.
Në fakt përpara këtij incidenti midis dy vendeve aleate të SHBA ka patur marrëdhënie model bashkëpunimi politik, ekonomik dhe ushtarak. Të dy vendet kanë patur një gjykim të njëjtë për shumë probleme të Lindjes së Mesme.
Por Pranvera Arabe, në fillim të 2011 tronditi nga themelet gjithë strukturën politiko-shoqërore të Lindjes së Mesme dhe për rrjedhojë gjithë aleancat u ridisejnuan për t’iu përshtatur kuadrit të ri gjeopolitik.
Dhe për të qenë realist, shpërthimi i fundit nuk është një incident sporadik, por është pasojë e rrëshqitjes në marëdhënie radikale për shkak të disa problemeve të akumuluara në kohë.
Së pari, është problemi palestinez dhe më gjerë ai i sunitëve.
Problemi jetik që ka shteti izraelit që nga krijimi, është ai i marrëdhënieve me Palestinën. Të gjitha marrëdhëniet me shtetet e tjera Izraeli i modelon me shkallën e pozicionimit ndaj palestinezëve.
Deri në vitin 1978 rolin e tutorit të palestinezëve e ka luajtur Egjipti, por marrëveshja e Camp Davis e largoi nga ky pozicionim pasi për një pjesë të madhe të arabëve u konsiderua si tradhti. .
Këtë rol e mori Arabia Saudite që kërkonte të drejtonte edhe gjithë sunitët.
Por okupimi i skenës saudite nga princi i ri Muhammad bin Salmam dhe afrimi i tij me Izraelin e zbehu këtë rol, dhe palestinezët mbeten pothuajse jetim.
Këtu Erdogani me politikën e tij të re neootomane vendosi të ndërhyjë në skenë, edhe pse Turqia nuk është një vend arab, por është sunit. Dhe këtu në rolin e mbrojtësit të flaktë të palestinezëve duhej të përballej me Izraelin që e akuzon si mbrojtëse të Hamasit.
Përplasja për flotiljen ishte mesazi i Izraelit se që këtej e tutje Turqia do të përballej direkt dhe me ashpërsi.
Natyrisht që Erdogani nuk u tremb dhe e intesifikoi këtë rol pasi konstatoi se përkrahja e Turqisë në botën arabe po shtohej. Konflikti arriti kulmin kur SHBA transferoi ambasadën në Jeruzalem dhe Turqia udhëhoqi një fushatë të ashpër kundër SHBA dhe Izraelit në OKB në mbrojtje te palestinezëve dhe Jeruzalemit si kryeqytet i vetëm i Palestinës.
Ky pozicionim, jo vetëm që acaroi marrëdhëniet me Israelin por realisht komplikoi edhe ato me SHBA që më vonë me disa çështje të tjera veçanërisht për kurdët, priftit Brunson, dhe aleancat me Rusinë në Siri, njohën një rënie drastike të nivelit.
Së dyti, është problemi i Iranit. Irani konsiderohet nga strategët ushtarakë si armiku numër një i Izraelit. Irani është nga të paktët që është shprehur se Izraeli duhet fshirë nga faqja e dheut.
Por nuk është thjesht lufta e deklaratave, pasi problemi ka një karakter operativ real rreziku.
Jo vetëm që Irani ka një potencial raketor që mund të kërcënojë direkt territorrin izraelit, por ajo që është më e rrezikshme financon dhe furnizon me raketa me rreze të shkurtër veprimi grupin ekstremist të Hesbollahëve në Libanin e jugut, që është në kontakt direkt me trupat izraelitë.
Duhet të kuptohet që Izraeli është një fuqi e tillë ushtarake, që mund të godasë në mënyrë apokaliptike (edhe bërthamore) Iranin, por problemi ështe se çfarë dëmesh mund të pësojë Izraeli.
Turqia është pozicionuar tashmë me Iranin, duke synuar që për një sërë çështjesh si Katari, Armenia, Iraku dhe mbi të gjitha kurdët, të luajnë së bashku në skakierën e Lindjes së Mesme.
Aleanca e Turqisë me Iranin dhe Rusinë për Sirinë, është parë me shumë dyshim nga Izraeli.
Aq më tepër që Turqia është shprehur hapur kundër sanksioneve të fundit amerikane kundër Iranit, duke qartësuar se nuk do të aplikojë sanksione kundër Iranit.
Së treti, është problemi i kurdëve dhe në veçanti Siria.
Dihet tashmë se ndërmjet Izraelit dhe kurdëve, ekziston një marrëdhënie shumë e ngushtë. Madje kurdët e konsiderojnë Izraelin si të vetmin vend mik që ka hapur edhe përfaqësi në Erbil, në Kurdistanin irakian. Por Israeli mbështet gjithë Kurdistanin që nga ai në Iran, Irak dhe Siri.
Izraeli kryen stërvitjen e trupave kurde me instruktorët e tij dhe blen naftën e tyre sidomos në Irak.
Kjo politikë e Israelit ndaj kurdëve, armiqve kryesorë të tyre, konsiderohet mjaft e rrezikshme për Erdoganin dhe ky është një burim tjetër i degradimit të marrëdhënieve.
Gjithashtu problemi vjen dhe komplikohet në Siri, sidomos tani që SHBA po largohen duke i lënë fushë të lirë veprimi Turqisë.
Në fakt, ky variant i përfundimit të luftës ku SHBA largohet, dhe fatin e Sirisë do ta vendosin Rusia, Turqia dhe Irani është varianti më i keq për Izraelin. Në radhë të pare, kjo do të thotë se Irani do të vazhdojë të konsolidohet në Siri dhe Hesbollahët do të vazhdojnë të furnizohen me armantim modern që një ditë mund të përdoret kundër Izraelit.
Së katërti, një problem tjetër jo i vogël është në fushën e shfrytëzimit të gazit në Mesdheun Lindor.
Izraeli ka lidhur së fundmi një marrëveshje me Qipron për shfrytëzimi e gazit në Mesdheun Lindor duke mënjanuar Qipron turke. Dhe ky është një burim tjetër i konfliktit midis Turqisë dhe Izraelit.
Erdogani ka kërcënuar edhe përdorimin e forces, nëse kjo marrëveshje do implementohet, dhe njësi të marinave luftarake të dy vendeve shpesh kohët e fundit po shikohen në pozicione kërcënuese ndërmjet tyre.
Aktualisht, të marra të gjitha çështjet në kompleks, pikat që i afrojnë dy vendet tashmë janë shumë të pakta me morinë e atyre që i ndajnë, dhe me drejtimin që po marrin ngjarjet në Lindjen e Mesme, duket se midis dy vendeve kontradiktat do të marrin një formë kronike në fazë të agravuar.
Për fat të mirë, të dy vendet nuk kanë kufi të përbashkët, pasi ata disponojnë forca ushtarake, detare dhe ajrore të klasit të parë, që mund t’i japnin rrugë një katalizme të vërtetë.
Megjithëse Izraeli dhe Turqia për rreth 60 vjet patën marrëdhënie mjaft pozitive politike, ekonomike dhe ushatrake, të gjitha faktet dhe prespektivat e zhvillimeve aktuale në Lindjen e Mesme, me pozicionimet e reja gjeopolitike, parashikojnë që një “dimër” i vërtetë” ka për të ndjekur marrëdhëniet midis dy vendeve, të paktën për dekadën që po vjen.
Dhe padyshim që nuk është një gjë pozitive, pasi janë dy nga vendet më influente të Lindjes së Mesme.
Albert Çaçi