MENU
klinika

Reagojnë të dy boksierët

Wilder-Fury pa fitues, revanshi në horizont…

02.12.2018 - 13:12

Dueli mes boksierit amerikan Deontay Wilder dhe atij britanik Tyson Fury është mbyllur në barazim, për peshën e rëndë. Një nga gjyqtarët ka dhënë rezultatin 115-111 në favor të Wilder, tjetri 114-110 në favor të Fury dhe i treti në barazim, 113-113.

Për pasojë, titulli kampion bote i peshës së rëndë në kategorinë WBC qëndron në duart e Wilder, ndërkohë që të dy boksierët qëndrojnë të pamposhtur. Wilder, tashmë ka rekordin e 40 fitoreve e 1 barazim në karrierën e tij, ndërsa Fury 27 fitore e 1 barazim.

Dueli u zhvillua në orët e para të mëngjesit të sotëm në stadiumin “Staples Center” të Los Angeles-it, mes 20 mijë shikuesve, më Fury që bëri një paraqitje më të mirë në shumicën e raundeve, duke i fituar ato. Por britaniku ra dy herë në tapet, në raundin e nëntë dhe të 12-të, cka e ndihmoi Wilder të rikuperojë disavantazhin e pikëve që kishte.

Të dy boksierët e mbyllën duelin duke festuar fitoren, por në fund nuk kishte një fitues, cka lë të hapur mundësinë për një revansh. Pas përfundimit të duelit një bisedë e gjatë “kokë më kokë” mes dy boksierëve në ring, që u ndanë si miq pavarësisht polemikave të ditëve të fundit. Revanshi duket në horizont…

Së pari, Fury e dominoi sfidën në shumicën e raundeve, madje shifrat tregojnë se boksieri britanik ka fituar 7 apo 8 raunde nga 12 në total. Por ishte Wilder ai që u tregua më cinik, pasi e hodhi dy herë në tapet rivalin, duke përmbysur kështu disavantazhin dhe duke marrë barazimin.

Për britanikun, që dominoi në ring në shumicën e raundeve, vendimi i gjyqtarëve nuk ishte i drejtë. “Bota e pa duelin dhe e di të vërtetën. Unë mendova se e kisha fituar këtë përballje dhe se do të kisha gjerdanin me vete, por vendimi i gjyqtarëve më hoqi fitoren. Unë jam një sportist profesionist, që e dashuron boksin.

Nuk njoh njeri në botë, në peshën time, që të lëvizë e duelojë ashtu siç bëra unë ndaj Wilder. Përballë kisha një boksier që grushton fort, por në këtë sfidë i evitova goditjet e tij. Nuk kam asgjë me Wilder, ai është një kampion i madh dhe e falënderoj për mundësinë që më dha.

Më hodhi në tapet, por nuk kishte asnjë shans që të fitonte me “KO”, pasi tregova zemër në këtë sfidë dhe u ringrita. E ardhmja? Jam 100% i sigurtë se do të zhvillojmë revanshin, por unë do të shkojë edhe më larg se kaq. Jam rikthyer për të qenë kampion i pamposhtur i botës”, – tha Fury.

Ndërsa boksieri amerikan Deontay Wilder, ka pranuar se është gati për të zhvilluar një revansh me Tyson Fury: “Unë nuk e di se cili do të jetë rivali im i radhës, por nuk e mohoj se do të më pëlqente të zhvilloja revanshin me Fury. Pse jo? Le t’i hyjmë punës dhe le ta organizojmë sërish këtë sfidë të madh, për t’u dhënë fansave atë që ata kanë dëshirë të shohin.

Mendova se me dy herët që e rrëzova Fury e fitova duelin, se ishin të mjaftueshme. Nuk e kuptova se si ia doli mbanë të ngrihej në këmbë. Në këtë ring të dy boksierët dueluan me zemër, ishim dy luftëtarë të fortë. Dueluam fort “kokë më kokë”, por me ato dy rrëzime mendova se e fitova duelin” – tha Wilder.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Devid Bekam e dëshiron si trajner të Mesit

Silvinjo shfaqet në radarët e Inter Majemit