MENU

Zyrtarisht në krye të Bashkimit Europian

A mund t’i përballojë Rumania “stuhitë” në BE?

11.01.2019 - 14:38

Të enjten është mbajtur ceremonia zyrtare e nisjes së presidencës gjashtëmujore të BE nga Bukureshti, Rumania, ku udhëheqësit e BE dhe rumunë shkëmbyen disa “paralajmërime”.

Shkarkoni Aplikacionin e Konica.al

Shqetësimet e BE-së lidhen kryesisht me planin e qeverisë rumune për të përmirësuar gjyqësorin.

Presidenti i Këshillit të BE, Donald Tusk, tha në sallën e koncerteve të Athenaeumit në Bukuresht. “Për ata në Bashkimin Evropian që mund të mendojnë se mund të shkelen rregullat unë ju them se janë gabim. Kjo do të thotë dobësi. Për ata që punojnë shumë për të mbrojtur vlerat evropiane, liritë dhe të drejtat tona, ju them: vazhdoni të luftoni”.

Nga ana e tij, presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker tha se nuk mund të ketë kompromise për sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe luftën kundër korrupsionit.

Ai tha se Rumania po e merr përsipër presidencën e BE-së  në një kohë të ndjeshme, mes Brexit, zgjedhjeve të Parlamentit Europian në maj, dhe një sërë sfidash të tjera.

Takimi i së enjtes  vuri në dukje armëpushimin midis qeverisë rumune, të kryesuar nga kryeministrja Viorica Dancila dhe presidenti rumun, Klaus Iohannis, nga partia opozitare Nacional Liberale.

Kryeministrja tha se Rumania do ta drejtojë Këshillin e BE-së me dinjitet. “Rumunët janë të lumtur që mbajmë presidencën e Këshillit të BE-së, duke zënë vendin që meritojnë në Europë, vendin nga ku duhet të marrin të njëjtin respekt, të njëjtat të drejta dhe të njëjtat përfitime që gëzohen nga çdo qytetar europian,” tha Dancila.

Kreu i senatit Kalin Popesku Tarikeanu i tha audiencës së BE se reformat gjyqësore të Rumanisë ishin të nevojshme për të spastruar elementet e vjetra komuniste në gjyqësor.

Ndërsa ai foli, qindra njerëz u mblodhën jashtë sallës madhështore Athenaeum për të protestuar kundër korrupsionit të qeverisë. Ata tundnin flamujt e BE dhe Rumanisë në kryeqytetin rumun të ftohtë dhe me dëborë, ndërkohë që brenda një orkestër, e përbërë nga muzikantë nga secili prej 28 shteteve të BE-së, luante himnin e BE-së.

Rumania, kombi i Europës Lindore, e cila merr për herë të parë presidencën pas Austrisë, ka qenë një nga shtetet anëtare më të qëndrueshme të BE-së që kur u bashkua më 2007. Por qeveria e saj e majtë kohët e fundit ka filluar të miratojë një lloj retorike nacionaliste ashtu si Hungaria dhe Polonia.

Analisti politik Radu Alexandru e përshkruan shoqërinë rumune si “shumë të polarizuar dhe të ndarë”. Përveçse është një nga vendet më të varfra të BE-së, Rumania gjithashtu vuan nga një pabarazi e madhe./konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


A do t'i përballojë "stuhitë" në Evropë?

Presidenca e BE/ A do t’ia dalë Rumania?

Një letër nga avokati i Trumpit

Pse po sulmohet presidenti rumun?