MENU
klinika

Si do të funksionojë INSTEX?

BE po mbron Iranin nga SHBA/ Një mekanizëm i ri për tregtinë

31.01.2019 - 15:35

BE do të krijojë një mekanizëm të ri për tregtinë me Iranin, duke treguar gatishmërinë e saj për të kundërshtuar politikat amerikane,  dhe duke sfiduar sanksionet e SHBA pasi Uashingtoni të tërhiqet nga marrëveshja bërthamore.

Propozimi i një instrumenti financiar ka qenë një element kyç në strategjinë e BE për të mbrojtur Iranin.

Institucioni i ri, i quajtur INSTEX, Instrumenti në mbështetje të shkëmbimeve tregtare, do të lejojë tregtinë midis BE dhe Iranit pa u mbështetur në transaksione të drejtpërdrejta financiare. Ky është një projekt i qeverive të Francës, Gjermanisë dhe Britanisë dhe do të marrë miratimin formal të të gjithë 28 anëtarëve të BE.

Administrata e Presidentit të SHBA Donald Trump ka ndjekur nga afër përpjekjet evropiane për mekanizmin financiar dhe paralajmëroi se çdo përpjekje për të shmangur fushatën e saj të “presionit maksimal” ndaj Iranit do të marrë dënime të ashpra.

Mekanizmi është hapi i parë konkret nga BE për të kundërshtuar vendimin e njëanshëm të Trump për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore në maj.

INSTEX fillimisht do të përdoret për tregti të pasanksionueshme, duke përfshirë mallra humanitare siç janë mjekësia, ushqimi dhe pajisjet medicinale.

Sipas Esfandyar Batmanghelidj, themelues i një forumi biznesi në Evropë dhe Iran, roli i kanalit të ri të pagesave nuk duhet të sulmohet, duke pasur parasysh rolin kryesor që ilaçet luajnë në tregtinë midis Evropës dhe Iranit.

Ngritja e INSTEX nuk është vetëm një çështje e marrëdhënieve Iran-BE, por gjithashtu tregon shumë për qëndrimin e bllokut ndaj politikave amerikane, sipas Batmanghelidit.

Duke dëshmuar efektin e sanksioneve sekondare të SHBA në firmat jo-amerikane, krerët e BE po bëhen më të vetëdijshëm për domosdoshmërinë për të forcuar eurozonën, siç deklaroi kancelarja gjermane Angela Merkel në fjalimin e saj në Davos në Forumin e fundit Ekonomik Botëror.

“Ky mekanizëm më së shumti do të jetë një hap drejt strukturave financiare ndërkombëtare që do t’i jepnin BE më shumë pavarësi”, tha Henry Farrell, profesor i shkencave politike në Universitetin George Washington.

Ndërkohë, iranianët po presin që partnerët e tyre evropianë të shpëtojnë marrëveshjen bërthamore. Por Ali Akbar Salehi, kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit, kohët e fundit paralajmëroi se BE duhet të veprojë para se të jetë tepër vonë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ringjallja e Perandorisë Persiane të dikurshme

Irani kërkon të marrë nën kontroll Lindjen e Mesme me çdo kusht…