Gazetat në të gjithë Evropën po shqyrtojnë gjatë gjithë kohës çfarë ndodh me Brexit, por duket se ato po e humbin durimin, duke marrë parasysh zgjatjen e procesit dhe pasojat e mundshme për Bashkimin Evropian.
Tagesspiegel e Gjermanisë, e quajti votimin e britanikëve si krizën më të madhe politike në ishull që nga Lufta e Dytë Botërore dhe deklaroi se “ata që janë përgjegjës, veçanërisht Theresa May, nuk janë në gjendje të zbatojnë zgjedhjen e bërë nga britanikët në qershor të vitit 2016”.
Një tjetër media gjermane, Der Spiegel, mendon se Spanja duhet të rikthejë çështjen e Gjibraltarit për diskutim, nëse do të rihapet marrëveshja.
“Nëse britanikët tani kërkojnë lëshime të mëtejshme për çështjen irlandeze, spanjollët ndoshta duhet të rihapin çështjen. Dhe vendet e tjera të BE mund të bëjnë kërkesa të reja, siç janë të drejtat e peshkimit në ujërat britanike”.
El Pais i Spanjës thotë se rihapja e marrëveshjes në këtë fazë është një skenar i keq për Brukselin. Sipas tyre kjo e vë BE-në në një pozicion të vështirë.
Në një editorial, The Irish Times paralajmëron se bllokimi i vazhdueshëm ndërmjet Londrës dhe Brukselit ngre rrezikun për atë që të dyja palët dëshirojnë të shmangin: largimi pa marrëveshje.
Në Francë, Le Figaro thotë se votimi i mbrëmshëm ishte një mënyrë “për t’ia hedhur” topin gjykatës e evropianëve.
Në Holandë, De Volkskrant u tregua disi kritik për palët ndërluftuese brenda Parlamentit britanik.”Deputetët nuk janë në gjendje të bien dakord dhe po bëjnë zhurmë më shumë sesa përkrahësit dhe kundërshtarët e Brexit që protestonin jashtë”.
Corriere della Sera e Italisë paraqet një pamje vërtet të zymtë. “Brexit nuk duhet të vonohet. Po të mos gjendet ndonjë rrugëdalje në këtë pikë, Britania e Madhe do të bjerë në humnerë më 29 mars”.
Evenimentul Zilei i Rumanisë i referohet me zemërim asaj që e sheh si mosrespekt ndaj qytetarëve të BE që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar.