MENU

Takimi

A do mundet May ta shpëtojë marrëveshjen?

11.12.2018 - 11:55

Theresa Maj do të takojë sot drejtuesit evropianë dhe zyrtarët e BE për bisedime që synojnë shpëtimin e marrëveshjes së saj të Brexit.

Kryeministrja britanike anuloi gjatë ditës së djeshme votimin në parlament për marrëveshjen e daljes së Britanisë nga BE-ja, të cilën e kishte dakordësuar më herët me delegacionin e Brukselit.

Ky vendim i May erdhi pasi ajo kuptoi se nuk kishte votat e duhura për të miratuar këtë projekt-marrëveshje, ndaj u detyrua të tërhiqet për të rinegociuar edhe njëherë me krerët europianë.

Zonja May paraqiti si argument çështjen e kufirit mes Irlandës së Veriut, pjesë e Britanisë, me Republikën e Irlandës, shtet i BE-së, të parashikuar në këtë marrëveshje. Pas këtij zhvillimi, kryeministrja britanike do të ndërmarrë udhëtime nëpër kryeqytete europiane, përpara se të marrë pjesë në Samitin e BE-së, të enjten dhe të premten, me qëllim përmirësimin e marrëveshjes aktuale me Bashkimin Europian, gjë të cilën momentalisht Brukseli e ka hedhur poshtë me vendosmëri, duke thënë se nuk do të ketë më negociata për paketën e divorcit të rënë dakord.

Presidenti i Komisionit Europian Jean Claude-Juncker tha se BE nuk do të rinegociojë marrëveshjen, por kishte vend për sqarime të mëtejshme. Ai shtoi: “Marrëveshja që kemi arritur është marrëveshja më e mirë e mundshme, është e vetmja marrëveshje e mundshme”.

Ministri i mëparshëm i Brexit, Steve Baker, tha për BBC Radio: “Është një vendim i rëndë, por ajo që do t’u thoja kolegëve të mi është: tani ju duhet të jeni të guximshëm dhe të merrni vendimin për të ndryshuar kryeministren “.

Laburistët kërkojnë zgjedhje të përgjithshme, por ata kanë thënë se nuk do të thërrasin një votë mosbesimi në këtë fazë dhe do të presin derisa të bëhet votimi për marrëveshjen e saj, dhe kështu, do të ketë më shumë shanse për sukses .

Megjithatë, Laburistët do të kërkojnë të bëjnë presion mbi Kryeministrin për një debat urgjent të martën, pas vendimit për të hequr votimin mbi marrëveshjen e Brexit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Koha për një lider të ri

A do të dorëhiqet Theresa May pas Brexit?