Roma ka pësuar një nga humbjet më të turpshme në vitet e fundit. Fiorentina ka fituar 7-1 në shtëpi ndaj Romës dhe ekipi vjollcë është kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Italisë.
Ndeshja është zgjidhur pak a shumë që në pjesën e parë. Chiesa ishte protagonist absolut i ndeshjes. Fillimisht shënon në minutën e shtatë, ndërsa në minutën e 18-të dyfishon shifrat.
Kolarov fut Romën në lojë në minutën e 28-të, kur ngushton në 2-1. Por pas 5 minutash Muriel shënon golin e tretë për vendësit dhe fraksioni i parë mbyllet 3-1 për Fiorentinën.
Vjollcët nuk e ulin ritmin. Dhe Benassi në minutën e 66-të shënon golin e katërt, pavarësisht se në fushë për Romën kishte hyrë edhe Dzeko. Është pikërisht ky i fundit që ndëshkohet me karton të kuq në minutën e 72-të.
Dhe pas 2 minutash vjen goli i tretë personal dhe i pestë për Fiorentinën. Por nuk do të mbaronte këtu goleada, pasi Simeone (djali i trajnerit të Atletico Madrid) kompleton fitoren 7-1, teksa shënon dy herë, në 79’ dhe 90’.
Fiorentina kalon në gjysmëfinale dhe do të presë fituesin e duelit Atalanta-Juventus, që do të luhet pas pak, në orën 20:45. Milan u kualifikua mbrëmë, teksa mposhti 2-0 Napolin dhe kuqezinjtë presin fituesin e Lazio-Inter, që do të luhet nesër në mbrëmje.