E mbrëmshmja ka qenë një nga ndeshjet më të dobëta të Juventusit për këtë sezon, por megjithatë, ka fituar 2-1 me përmbysje në “Olimpico” të Romës ndaj Lazios.
Cristiano Ronaldo shënoi golin e fitores me penallti, ku përballë Thomas Strakosa nuk mundi dot të bëjë gjë. Me këtë gol kampionët e Italisë vendosën disa rekorde.
Ronaldo ka shënuar në tetë ndeshje të njëpasnjëshme larg fushe, në Serie A. Portugezi është i pari që e arrin këtë rekord. Ky ishte goli i 15-të në 21 ndeshje të Serie A, ose i 17-ti në 28 ndeshje në total me fanellën e Juventusit, numra të cilëve, gjithashtu, u ka shtuar 8 asiste në këtë sezon.
Kundër Lazios, bardhezinjtë arritën ndeshjen e 29-të radhazi me të paktën një gol të shënuar. “Zonja e Vjetër” ka shënuar 54 gola në Serie A, Champions, Kupën e Italisë dhe Superkupë, në këtë edicion.
Një tjetër shifër “monstruoze”, që i lejon të besuarit e Massimiliano Allegrittë arrijnë një rekord të mbajtur nga Juventusi i sezonit 1957-1958, i udhëhequr nga treshja Boniperti-Charles-Sivori.