Qeveria ka miratuar Strategjinë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit për priudhën 2019-2021, e cila është botuar në Fletoren Zyrtare që synon reduktimin e kostove të borxhit në terma aftagjatë, përmes uljes së ekspozimit ndaj risqeve si dhe zhvillimin e tregut të titujve shtetërore.
Por, në strategji është parashikuar që disa nga rreziqet kryesore që mund të kenë ndikim në borxhin publik janë risku i rifinancimit, për shkak të nivelit të lartë të titujve që rifinancohen në periudhë afatshkurtër; risku i normave të interesit, për shkak të nivelit ende të lartë të borxhit aftashkurtër; risku nga kursi i këmbimit, ku synohet ruajta e raportit të stoku të borxhit shtetëror në valutë në raport me totalin e borxhit shtetëror; risku i likujditetit dhe risku operacional.
Në strategji thuhet se nëse financat publike do të vijojnë të ndjekin rrugën e konsolidimit fiskal duke i dhënë mundësi vendit të mbajë ose përmirësojë vlerësimin e riskut të kreditit, ritmet e rritjes ekonomike do të përshpejtohen në 4.5% në vitin 2021, kursi i këmbimit të euros ndaj monedhës vendase mund të rikthehet gradualisht në nivelin 130 lek, dhe niveli i borxhit të qeverisjes qendrore në raport me PBB-në do të vijojë të ndjekë trajektoren rënëse të nisur nga viti 2016 dhe në këto kushte, parashikohet që të arrijë në nivelin 60% në fund të periudhës afatmesme.
Ndërsa borxhi në valutë në raport me totalin e përgjithshëm pritet të ketë një rritje të moderuar, por duke qendruar nën kufirin strategjik prej 55%.
Referuar parashikimeve që normat e interesit gjatë tre viteve do të shoqëroren me rritje graduale, vlerësohet se kostot e borxhit shtetëror në vlerë absolute gjithashtu do shoqërohen me rritje dhe mund të shkojnë deri në 45 mld lekë deri në fund të vitit 2021 , ndërsa në vlerë relative priten të jenë të qëndrueshme, duke mbajtur nën kontroll riskun fiskal dhe aftësinë paguese të qeverisë.