Nuk ndeshet që prej 22 shtatorit të vitit të kaluar dhe Anthony Joshua, kampioni i botës në peshën e rëndë në boks, kërkon të mësojë rivalin e radhës.
Britaniku mundi në duelin e fundit me “KO” në raundin e shtatë Alexander Povektin dhe mbrojti titujt kampionë (IBF, WBO dhe WBA). Pas atij dueli, boksieri britanik deklaroi se do të rikthehet në ring me 22 prill, sërish në “Wembley”, por 3 muaj nga kjo datë ai ende nuk ka asnjë rival.
Deontay Wilder dhe Tyson Fury, dy objektivat e tij, janë drejt revanshit në verën e këtij viti, ndaj Joshua po projektohet drejt një revanshi me Dillian Whyte edhe pse britaniku preferonte një rival tjetër.
Sipas medieve britanike, Joshua ka takuar menaxherin e tij Eddie Hearn, duke i kërkuar llogari në lidhje me rivalin që do të ketë përballë më 13 prill.
“Kanë kaluar 15 javë nga dueli i fundit dhe ende nuk kemi asnjë emër konkret. Nuk e di se çfarë po ndodh. Pres që të më kontaktojnë dhe të më thonë emrin e rivalit. Koha po ecën dhe nuk dua të përgatitem në ajër”, – mësohet të ketë thënë Joshua.