MENU
klinika

Konkurrenca e paralizuar

Konfindustria: Ekonomia drejt ngurtësimit

13.01.2019 - 13:52

Konfindustria vlerëson, se ekonomia shqiptare po shkon me shpejtësi drejt ngurtësimit të plotë si pasojë e mungesës së konkurencës dhe monopolizimit, sidomos në sektorët strategjikë të ekonomisë si karburantet, financat, bankat, portet, aeroportet, infrastruktura, energjia, etj.

Pasojë e drejtpëdrejtë janë cmimet më të larta të karburanteve, energjisë për bizneset, kredidhënies, shërbimeve aeroportuale, portuale, etj. në Rajon, cilësi e dobët shërbimesh publike, arsim, shëndetësi,etj..

Rënia e rendimentit fiskal të ekonomisë dhe politikat e PPP dhe koncesioneve të privilegjuara, përfshi edhe praninë e zgjeruar të kompanive të regjistruara në parajsa fiskale, kanë sjellë rritjen faktike të borxhit publik në nivelin shqetësues të mbi 82% të PBB, më të lartin në Rajon.

Roli i munguar rregullator shtetëror për tregjet strategjike, prania e burimeve të mëdha informale të financimit, niveli i lartë i paaftësisë dhe korrupsionit të institucioneve, deri në nivelin e kapjes së shtetit, bën edhe më shumë të domosdoshme vendimarrjet e shpejta për ndryshim thelbësor të politikave zhvillimore qeveritare.

Konfindustria vlerëson, se ndryshimet e fundit të kabinetit qeveritar në Shqipëri janë të pamjaftueshme për të bërë të mundur tejkalimin e gjendjës së vështirë ekonomike dhe krijimin e kushteve për zhvillim të qëndrueshëm. Ndryshimet në emra ministrash, duhet të shoqërohen me analizat sektoriale dhe dhënien e zgjidhjeve strategjike tërësore për përmirësimin në thelb të politikave ekonomike, financiare, fiskale të deritashme.

Sipas Konfindustrisë, janë mjaft shqetësuese vlerësimet e Bankës Botërore dhe FMN për rënie të rritjes së Prodhimit Brendshëm Bruto për vitin 2019 në nivelin e 3.6-3,7% nga 4.3-4.5% i paraqitur nga qeveria shqiptare. Ulja me pothuaj 25% e parashikimit të rritjes ekonomike të vendit, rrezikon seriozisht të gjitha objektivat e buxhetit fiskal 2019 dhe është tregues i problematikave të thella të ekonomisë shqiptare, të pamundura të zgjidhen thjesht me ndryshime individësh në poste qeveritare.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kontrolli i karburanteve

Konfindustria: Ka rrezik për abuzime