MENU
klinika

Raporti i inteligjencës amerikane

Koreja e Veriut nuk do të heqë dorë nga armët bërthamore

30.01.2019 - 15:55

Të martën, kreu i inteligjencës amerikane tha se Koreja e Veriut nuk ka gjasa të heqë dorë nga armët e saj bërthamore, sepse udhëheqësit e tyre i konsiderojnë ato si të rëndësishme për mbijetesën e regjimit.

Daniel Coats, drejtori i inteligjencës kombëtare, i bëri këto vlerësime në një deklaratë me shkrim për “kërcënimet në mbarë botën” për Senatin amerikan, i cili vinte në dukje se pikëpamjet e tij ndryshonin nga ato të presidentit.

Dallimet nuk ishin të dukshme vetëm lidhur me Korenë e Veriut, por edhe lidhur me programin bërthamor të Iranit, kërcënimin e vazhdueshëm të Shtetit Islamik në Siri dhe mbi rëndësinë e ndryshimeve klimatike.

Në një seri postimesh në mëngjes në Twitter të mërkurën, Trump tha se Isis së shpejti do të shkatërrohej, dhe se ka mundësi që të realizohet denuklearizimi i Phenianit.

Ky vlerësim pati një ndikim të veçantë, pasi ai vjen në prag të një samiti të dytë të planifikuar në fund të shkurtit midis Trump dhe Kim Jong-un.

Trump ka hedhur poshtë raportet e përsëritura se ndonëse regjimi i Phenianit ndaloi testet bërthamore dhe raketore që nga samiti i parë në Singapor qershorin e kaluar, nuk ka ndalur prodhimin e armëve bërthamore.

Megjithatë, në dëshminë e tij të shkruar, Coats tha: “Ne vazhdojmë të vlerësojmë se Koreja e Veriut nuk ka gjasa të heqë dorë nga të gjitha armët e saj bërthamore”.

Ai tha: “Udhëheqësit e Koresë së Veriut i shohin armët bërthamore si kritike për mbijetesën e regjimit.”

Aty përmendet edhe se Irani, që aktualisht nuk është duke krijuar armë bërthamore, ndonëse ka “ambicie ushtarake dhe kapacitete të avancuara ushtarake”, mund të krijojë kërcënim për interesat amerikane.

Presidenti amerikan, Donald Trump është tërhequr nga marrëveshja bërthamore e vitit 2018 që Irani ka me fuqitë botërore dhe ka vendosur sanksione të ashpra kundër Teheranit.

Sa i përket Lindjes së Mesme, në raport është thënë se grupi militant, Shteti Islamik, ende nuk është mundur, pavarësisht pretendimeve të kundërta të presidentit Trump.