MENU
klinika

E kaluara e "përndjek"

Pse Koreja e Veriut po e refuzon ende denuklearizimin?

14.10.2018 - 13:29

Një nga sfidat më të rëndësishme të politikës së jashtme që bota aktualisht përballet është denuklearizimi i Koresë së Veriut.

Lajmi i mirë është se kreu i Koresë së Veriut Kim Jong Un u angazhua të punojë drejt denuklearizimit të plotë të Gadishullit Korean në qershor të këtij viti, pas samitit të tij historik me Presidentin e SHBA Donald Trump në Singapor.

Që atëherë, si një akt mirëbesimi, Presidenti Trump ndaloi stërvitjet e përbashkëta ushtarake të SHBA-së dhe Koresë Jugore që në pikëpamjen e Koresë së Veriut ishin provokuese. Në këmbim, Koreja e Veriut ndaloi testimin e bombave të saj bërthamore dhe sistemeve të raketave që i shpërndan ato dhe madje shkatërroi një vend kyç për testimin e raketave.

Megjithatë, asnjë nga këto nuk do të jetë e mjaftueshme. Që bota të jetë vërtet e sigurt nga kërcënimi bërthamor i Koresë së Veriut, Pyongyang duhet të ndërmarrë hapa konkretë për të eliminuar të gjitha armët bërthamore.

Kjo nuk është një detyrë e lehtë për të arritur. Dy herë më parë, në vitet 1994 dhe 2007, u nënshkruan marrëveshjet me qëllim të denuklearizimit të Koresë së Veriut, por nuk arritën të zbatoheshin. Megjithëse sot situata duket ndryshe, ekziston një sfidë e madhe që ka gjasa ta ndalojë përparimin: Përvojat e vendeve të tjera.

Në vitin 1994, Ukraina hoqi dorë nga armët dhe kapacitetet bërthamore që kishin trashëguar nga Bashkimi Sovjetik. Në vitin 2003, Libia hoqi programin e saj për të ndërtuar armë të shkatërrimit në masë. Në vitin 2015, Irani ra dakord po ashtu.

Në secilin rast, denuklearizimi ishte kryer në një rrugë të ngjashme. Së pari, palët e interesuara arritën një marrëveshje. Së dyti, ata ranë dakord për një afat kohor. Së treti, një organizëm i njohur dhe i pavarur global, përkatësisht Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore, mori përgjegjësinë e mbikëqyrjes së procesit.

Në çdo skenar u bënë premtime për kompensimin e vendeve që ranë dakord të heqin dorë nga aftësitë e saj bërthamore në formën e heqjes së sanksioneve kombëtare ose ndërkombëtare ose ofrimit të përfitimeve, si në fushën e tregtisë, teknologjisë, financës, energjisë dhe diplomacisë. Një normalizim i plotë i marrëdhënieve është premtuar me kusht të denuklearizimit plotë.

Në sipërfaqe, duket se ky projekt i provuar dhe i testuar gjithashtu mund të funksionojë në Korenë e Veriut. Megjithatë, ekziston një fakt i pamohueshëm që e bën të vështirë Presidentin Trump të përdorë këtë strategji të drejtpërdrejtë kur merret me Phenianin: Kim Jong Un mund të shohë qartë se asnjë nga vendet e lartpërmendura nuk u bë më i sigurt ose më i begatë pas heqjes dorë nga armët e tyre bërthamor. Për më tepër, palët e këtyre marrëveshjeve nuk arritën t’i mbanin premtimet e tyre.

Në rastin e Ukrainës, Rusia theu premtimin e saj të vitit 1994. Kishte premtuar se do të shmangte përdorimin e forcës kundër integritetit territorial ose pavarësisë politike të Ukrainës  por më pas aneksoi Krimenë.

Në rastin e Libisë, më pak se një dekadë pas heqjes dorë nga armët, Muamar Gadafi u rrëzua nga posti me dhunë.

Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se për të arritur denuklearizimin e plotë të gadishullit Korean, Presidenti Trump do të duhet të bindë Kryetarin Kim Jong Un për tre gjëra:

Së pari, se çdo marrëveshje  do duhet të sigurojë integritetin territorial të Koresë së Veriut.

Së dyti, Uashingtoni duhet të heqë totalisht idenë për të rrëzuar regjimin e Kim edhe pas përfundimit të denuklearizimit të Koresë së Veriut.

Së treti, Koreja e Veriut kërkon një garanci që presidentët e ardhshëm të SHBA nuk do të bëjnë në vend atë që Trump i bëri Iranit.

Asnjë nga këto nuk do të jetë e lehtë për t’u arritur, pasi e kaluara flet më shumë se fjalët…

Alexander Gillespie

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Deklarat e presidentit amerikan

Më në fund një takim i dytë Trump-Kim