MENU
klinika

Suksesi historik

Kur Vllaznia fitonte ndaj Austrisë së Vjenës

14.01.2019 - 20:07

Në sezonin 1971-1972, Vllaznia e Shkodrës duhej të kishte luajtur, sipas shortit, pikërisht me një skuadër austriake, Rapid të Vjenës, për Kupën UEFA, tërhequr nga Regjimi I asaj kohe.

Pas 7 vjetëve, shorti kapricioz ia ruan me besnikëri një klub po austriak, kësaj radhe Austria e Vjenës! Është kampionia e famshme Europës Qendrore, Austrisë, e cila në Kampionatin Botëror 1978 kishte zënë vendin e 7-të në botë, duke pasur në përbërje 6 lojtarë të kësaj kampioneje me emrin Austria.

Ishin Baumgartner, R.Sara, Obermayer, Baumeister, Prohaska dhe Schachner. Në fushën e stadiumit “Vojo Kushi” të Shkodrës kishte zbritur thuajse Kombëtarja e Austrisë, e cila kishte lënë në kujtimin e Botërorëve edhe fitoren historike 3-2 kundër Gjermanisë!

Është 13 shtator 1978. Një ndeshje, e cila parafillon me habinë e parë të madhe për skuadrën mike. Lojtarët e Vllaznisë i ftojnë ato austriakë për një fotografi të përbashkët para shkelmimit të topit, krejtësisht jashtë protokollit të ndeshjeve të Kupave të Europës!

Ata me hezitim dhe të stepur, megjithatë pranojnë…Dhe mandej Vllaznia-Austria 2-0! Nuk duhet harruar se Vllaznia u përforcua me tre futbollistë të tjerë të mëdhenj të kohës, portierin e pazëvendësueshëm Jani Kaçi të Skënderbeut, qendërmbrojtësin numër 1 të Shqipërisë së kohës, Safet Berisha të Partizanit, dhe sulmuesin e papërmbajtshëm Shyqyri Ballgjini të Dinamos.

Këta plotësuan një Vllazni përtej historisë, “rrëmbime” këto që futbolli shqiptar i kishte mënyrë “origjinale” përfaqësimi. Sot të duket sikur kemi qenë ne pararendës për UEFA-n, e cila tashmë i ka ligjëruar këto lloj marrjeje të përkohshme lojtarësh për ndeshjet e Kupave të Europës.

Ndeshja nuk u transmetua për publikun në televizion. Sidoqoftë, fitorja 2-0 e Shkodrës pas një ndalimi të futbollit ndërkombëtar prej 6-7 vjetësh për Shqipërinë, përbënte një sukses të madh, të paharrueshme, model, madje një brilant të historisë së futbollit shqiptar.

Gola spektakolarë të Ballgjinit dhe Zhegës, një 11-sh vërtet i rrallë. Kaçi, Berisha, Sh. Ballgjini, të cilët, të shkrirë me Zyhdi Bashën, Seit Çangën, Suat Durajn e paharrueshëm, Luan Vukatanën (vetëm 19 vjeç), Astrit Hafizin, Sabah Bizin, Fatmir Axhanin (zbulim i bukur i kësaj ndeshjeje), Medin Zhegën (futbollistin tonë të madh), paraqitën një bukuri shqiptare në Europë pas një izolimi të paprecedentë gjashtëvjeçar.

Gazetari Besnik Dizdari shkruante asokohe në gazetën “Bashkimi”: “Bizi si në vitet e tij më të mira, plot freski lëvizjeje e teknikë pasimi, me një roveshatë emocionuese nis Zhegën, ky Axhanin, i cili krejt i vetëm i detyron Baumgartnerit një pritje të përsosur.

vllaznia 1978
vllaznia 1978

Veç nuk ka shumë kohë të ndiejë kënaqësinë e saj. Se vjen minuta e 16-të me kombinacionin e rrufeshëm Zhega-Bizi. Gjuajtja e Sabahut nga 20 metra larg vulos shtyllën e portës së Austrias në një goditje që në stadiumin ‘Vojo Kushi’ do të kujtohet gjithnjë.

Në pjesën e dytë, pas kombinacioneve të shpejta, të nisura që nga Basha, Berisha, Duraj e Çanga, të përpunuara me inteligjencë nga Bizi, vazhdojnë gjuajtjet. Minuta e 57-të…

E nis sulmin Bizi, e vazhdon Zhega me koleksionin e finteve të tij dhe, ashtu siç i shërbeu Ballgjinit për golin e parë, tamam kështu i shërben tani kapiteni sulmuesit tonë energjik.

Stadiumi ‘Vojo Kushi’ gradualisht bie në qetësi. Vllaznia me kapitenin 33-vjeçar Zhega, me Bizin e gjithanshëm, me Kaçin më të përpiktë se asnjëherë, me Bashën luftarak, me Çangën, Durajn, A. Hafizin, Vukatanën, Axhanin e me Ballgjinin, shpërthyes e golashënues, e lë fushën e lojës nën duartrokitjen entuziaste të spektatorëve.

Në të vërtetë një patetikë që vetvetiu sikur pasqyron një shfrim ndjenjash të ndrydhura. ‘Keni sportistë të mrekullueshëm’, – thotë i deleguari i UEFA-s.

‘Skuadra e Shkodrës ishte shumë e mirë’, – thotë trajneri austriak Shtesl, – dhe në të gjitha pikat e formacionit ka qenë më e mirë se ne. Ajo më la një përshtypje të shkëlqyer teknike, taktike e fizike në këtë ndeshje të nivelit të vërtetë ndërkombëtar’.

‘Kundërshtari im Bizi, – thotë Prohaska, – ishte shumë i mirë, por e gjithë skuadra shqiptare ishte e përgatitur dhe ajo ka një futboll teknik, me lëvizshmëri, moderne.’

Ndërsa gjithashtu i shqetësuar për rezultatin, shton: ‘Vllaznia ka luajtur mjaft mirë, – pohon kapiteni R. Sara, – dhe rezultati 2-0 i përgjigjet lojës së saj teknike e të fortë’. Kjo ishte historia epike e fitores 2-0 të Vllaznisë ndaj Austrisë së Vjenës.” (Shkodra Sport)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN