Legjenda e futbollit vlonjat dhe atij shqiptar, Sokol Kushta, ka analizuar momentin që po kalon Flamurtari, i ndarë mes kërcënimit për largim të kompanive turke që e administrojnë dhe atij të lojtarëve që duan të largohen pasi nuk janë paguar.
Kushta mendon se në këtë mes fajin e nuk e ka administratori Sinan Idrizi, por vetë burokracia shqiptare.
“Çdo gjë fillon te ligji, pastaj secili zotëri është në vendin e vet, në biznesin e vet. Jep sa ka mundësi, falimenton kur nuk ka dhe e merr një tjetër që ka, siç punon gjithë bota.
Ne duhet ta shohim jo vetëm pse, ose si u vonuan lekët për lojtarët, apo nuk u bë faza përgatitore. Duhet kapur thelbi, ka vite e vite me radhë që mbahet peng ekipi, t’u jepet e drejtë këtyre që të kenë asetet e tyre, të kenë të drejta ligjore”, – tha Kushta për RTSH.
“Unë nuk e quaj fenomen negativ Idrizin, është person që ka dhënë miliona euro. Unë shoh anën pozitive, erdhi e ndihmoi ekipin e Flamurtarit. Mendoi se do të bënte brenda rregullave, por ka burokraci nga lart e poshtë. Mbase edhe Idrizi do të lodhet një ditë.
Ne kapim anën sipërfaqësore, ana e dukshme është ekipi dhe çdo gjë fillon e mbaron te ligji. Klubet sot për sot duhet të kenë ligjin e tyre, është detyrë e Parlamentit që të marrë këtë nismë.
Nuk e di pse nuk kalon në Parlament dhe pastaj secili ka baza ligjore, pastaj lekët e tyre janë të mbrojtura me ligj”, – ishte këndvështrimi i Kushtës rreth kësaj situate që po kalon klubi ku ai u bë i njohur.