Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel do të nënshkruajnë një traktat të ri, duke treguar se Franca dhe Gjermania duan të ecin përpara për të siguruar mirëqenien e qytetarëve si dhe një Evropë të fortë, sovrane dhe demokratike.
Traktati i ri do të nënshkruhet më 22 janar për të forcuar më tej bashkëpunimin franko-gjerman në prag të zgjedhjeve të BE, tha zyra e Macronit.
Dy udhëheqësit do të takohen në qytetin kufitar francez të Aix-la-Chapelle për të firmosur një marrëveshje, e cila do të forcojë lidhjet tashmë të ngushta midis Gjermanisë dhe Francës, siç tha edhe presidenti francez.
Traktati do të mbulojë projekte të përbashkëta në fushat e mbrojtjes, ndryshimit të klimës dhe sigurisë, si dhe çështjen e ndjeshme të “konvergjencës ekonomike dhe sociale”, thuhej në deklaratën e presidencës franceze.
Takimi vjen pasi Merkel është pothuajse në fund të sundimit të saj dhe Macron po përpiqet të qetësojë rebelimin antiqeveritar të “jelekverdhëve”.
Parlamentet franceze dhe gjermane, në të njëjtën ditë, do të miratojnë një projekt-marrëveshje mbi bashkëpunimin më të ngushtë në formën e një asambleje të përbashkët parlamentare prej 100 anëtarësh, sipas deklaratës franceze.
Franca dhe partitë qeverisëse të Gjermanisë dhe aleatët e tyre frikësohen nga një sfidë e pashembullt nga populistët në zgjedhjet e Parlamentit Evropian në maj.
Në fjalimin e tij të Vitit të Ri Macron tha se do të përcaktojë vizionin e tij për një “projekt të ripërtërirë evropian” në javët e ardhshme.
Marrëveshja e re do të ndërtohet mbi bazën e Traktatit të Elysee të vitit 1963, sipas Pallatit Elysee.
Më 22 janar 1963, Presidenti francez Charles de Gaulle dhe kancelari gjerman Konrad Adenauer nënshkruan Traktatin e Bashkëpunimit në Pallatin Elysee në Paris, i cili përmbahet pajtimit të pasluftës ndërmjet Gjermanisë dhe Francës. Dokumenti i detyroi autoritetet e të dy vendeve të zhvillojnë konsultime të rregullta mbi drejtimet kryesore të politikës së jashtme, çështjet e sigurisë, si dhe çështjet kulturore./konica.al