MENU
klinika

Albert Çaçi

Një vit i vështirë

03.01.2019 - 09:42

Viti 2018, që sapo u mbyll, la pas një situatë mjaft të komplikuar të marrëdhënieve ndërkombëtare, që nuk ishte parë, të paktën dekadën e fundit. Rendi botëror vështirë se mund të ketë qenë më i tronditur se në 2018.

Një sërë konfliktesh kronike si ai i Lindjes së Mesme, embargove konstante ndaj Rusisë, apo konfliktit ukrainas, iu shtua edhe një nivel mosmarrëveshjeje midis aleatëve perëndimorë, që nuk ishin parë që pas Luftës së Dytë Botërore. Dështimi për herë të pare i takimit të G7 në Kanada, apo mbetja vetëm e SHBA në konfliktin me Iranin mbas daljes nga marrëveshja nukleare, tregon se uniteti i vendeve perëndimore tashmë është i tronditur thellë.

Nga ana tjetër, nisja e një lufte tregtare këtë shtator nga SHBA ndaj Kinës, i dha rrugë një konflikti gjeoekonomik të paparë që nga krijimi i Organizatës Botërore të Tregtisë.

Pikërisht mbi këtë bazë të tronditur të marrëdhënieve ndërkombëtare, që la pas 2018, viti i ri 2019 nuk ka asnjë arsye për të qenë optimist, madje duhet të priten përshkallzime konfliktesh gjeopolitike dhe gjeoekonomike, që mund ta bëjnë një vit mjaft të mprapshtë…

Në veçanti, janë disa vatra që në mënyrë të veçantë, mund të ndezin konflikte shumë të rrezikshme.

1-Në radhë të parë, në Europë në muajin maj do të zhvillohen zgjedhjet e Parlamentit Europian, në një situatë jashtëzakonisht konfuze. 

Në fund të muajit mars, me ose pa marrëveshje Britania e Madhe do të lërë Bashkimin Europian, pasi ajo nuk mund të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare europiane te majit.

Si rrallëherë, që nga krijimi, një lëvizje e re populiste do të marrë pjesë në këto zgjedhje, me synimin për të qenë forca e parë politike në këtë parlament. Sondazhet tregojnë se për herë të parë dy forcat tradicionale konservatore të djathta dhe socialiste, së bashku, nuk kalojnë 40%.

Fakti që këto dy forca, që në mënyrë të alternuar qeverisin BE që nga krijimi, tashmë rezikojnë, tregon se elitat e tyre politike, duke mbështetur pa kushte globalizmin, nuk arritën t'iu japin rrugë pasojave të tij, që rritën ndjeshëm pabarazinë sociale, duke rritur së tepërmi varfërinë. Të kombinuara me fenomenet e një papunësie të lartë, sidomos tek të rinjtë, problemeve të sigurisë për shkak të terrorrizmit dhe rritjes së pakontrolluar të emigracionit ilegal, bënë që lëvizjet e reja populiste anti-establishment të rriten ndjeshëm, duke arritur deri që të marrin qeverisjen e Italisë, vitin e shkuar. Pikërisht nga rezultatet e këtij maji do të varet e ardhmja e Europës.

2- Konflikti SHBA-Kinë.

Ky konflikt këtë vit do të hyjë në një spirale mjaft të rrezikshme, dhe jo vetëm për luftën tregtare dhe tarifat doganore prej 200 miliardë dollarë që Trump i vendosi Kinës.

Në pamje të parë, kjo duket si një lëvizje emotive e Trump, por problemi është shumë më i komplikuar se kaq.

Elita politike amerikane ka arritur në konkluzionin se tashmë Kina ka arritur një nivel të tillë zhvillimi, që ose të bllokohet këtë vit ose ajo do të kërcënojë seriozisht interesat e SHBA.

Për herë të parë, sipas ekonomistëve, Kina ka arritur një zhvillim uniform gjatë gjithë vijës bregdetare nga Hong Kong, Shangai deri në Harbin në veri, por ajo që është më e rëndësishme, diferenca midis Kinës bregdetare tradicionalisht më të zhvilluar dhe asaj kontinentale, është zvogëluar jashtëzakonisht shumë, duke dëshmuar tashmë për një strukturë ekonomike mjaft solide.

Nga ana tjetër, liria që i dha Perëndimi për të shfrytëzuar dhe grabitur teknologjinë e sofistikuar, ka bërë që Kina tashmë të jetë në një planet tjetër zhvillimi teknologjik dhe ushtarak. Mjafton të shikosh vetëm investimin e saj gjigand prej 150 miliard dollarë, për të dominuar botën me teknologjinë e re 5G.

Riarmatimi me një ritëm të shfrenuar, dhe agresiviteti ndaj fqinjëve, që dëshmohet qartë jo vetëm në Detin e Kinës Jugore, por sidomos në deklaratën e fundit të Xi-Jiping, që Kina nuk do të ngurrojë të përdorë forcën ndaj Tajvanit, dëshmon se Kina po ecën shumë larg.

Lëvizjet e Trump për tu tërhequr nga “luftëra pa kuptim dhe shumë të kushtueshme”, siç i definon ai, ato të Sirisë dhe Afganistanin, në fakt janë tentativa për rigrupim gjeostrategjik forcash, për tu përqendruar tek rreziku më i madh i SHBA për këtë shekull, që është Kina.

Pra, viti 2019 do të jetë viti i një konfrontimi shumëplanësh midis SHBA dhe Kinës, ku edhe aktori i tretë, Rusia, e ndodhur nën presion nga Perëndimi, mund të pozicionohet në një aleancë strategjike me Kinën, duke komplikuar së tepërmi gjithë kuadrin gjeopolitik, sidomos në Paqësor.

3-Lindja e Mesme, ashtu si 70 vitet e fundit, do të vazhdojë të jetë vatra më e kolauduar e konflikteve potenciale.

Lufta e Sirisë në pamje të parë, mbas tërheqjes amerikane, duket sikur po shkon drejt përfundimit, por situata është kaq e komplikuar, sa do të mjaftonte një lëvizje e gabuar, për t’i dhënë rrugë një konflikti, këtë radhë ndërshtetëror, me përmasa që mund të jenë edhe globale.

Veçanërisht dy shtete, Turqia dhe Israeli, janë mjaft vulnerabël nga tërheqja amerikane, dhe mund të ndërmarrin veprime unilaterale, që mund të precipitojnë situatën. Në fakt, mbas 6 viteve luftime, që filluan me të ashtuquajturën “Pranvera arabe”, me mposhtjen e ISIS, është momenti i diplomacisë për të vendosur bazat e një paqeje solide.

Veprimet e fundit të disa vendeve arabe, për të rivendosur marrëdheniet diplomatike me Damaskun, dhe vendimi i Legës Arabe për ta ripranuar Sirinë, japin shpresë se diplomacia në këtë moment, mund të triumfojë ndaj luftës që ka rraskapitur këtë zonë të botës.

4-Një konflikt latent, por që ka potencialin e shpërthimit të një lufte, që mund të kthehet edhe botërore, është ai i Ukraines. Përplasja në muajin nëntor në ngushticën e Kerçit, dëshmoi se sa delikate është situata dhe se sa në pozicione ekstreme janë midis tyre Rusia dhe Ukraina.

Nga ana tjetër, në mars në Ukraine do të zhvillohen zgjedhjet parlametare, që jo vetëm se si do të zhvillohen, por edhe se kush do të fitojë, mund të çojë në një përshkallëzim të jashtëzakonshëm të konflikteve te brendshme, që për shkak edhe të përbërjes etnike, lehtësisht mund të degradojë në një konflikt rajonal dhe europian.

5-Konflikti midis SHBA dhe Iranit këtë vit, është i destinuar të njohë dinamika të reja mjaft të rrezikshme.

Embargoja ekonomike ndaj Iranit dhe veçanërisht ndaj eksportit të naftës, që u shty për 6 muaj nga Trump, për të mos çuar në një rritje të fuqishme të çmimit të naftës, nga muaji prill mund të hyjë në fuqi, duke komplikuar gjithë situatën gjeopolitike, jo vetem në Lindjen e Mesme.

Kjo për faktin se ky konflikt mund të provokojë një rritje të çmimit të naftës, që mund të frenojë gjithë ekonominë botërore, që edhe kështu noton në ujëra shumë të turbullta, falë kjo edhe e një lufte tregtare gjigande që po duket në horizont.

Ky në fakt, konsiderohet konflikt me një potencial shumë të madh përshkallëzimi dhe me një ndikim direkt në planin botëror.

SHBA-Iran

Natyrisht ka edhe konflikte të tjera, që potencialisht mund të bëhen shumë aktive, si për shembull konflikti tashmë i konsoliduar midis NATO-s dhe Rusisë, që në rast nisjeje, ka për pasojë Luftën e Tretë Botërore, ose ai i Koresë së Veriut, që mbas takimit Trump-Kim Jong, ka hyrë në një fazë latente, por që nuk është në fazën e mbylljes definitive, dhe në çdo moment mund të kalojë në fazën e nxehtë deri në përshkallëzim ushtarak. Po kështu konflikti libian, ku Libia vashdon të jetë një vend që ka mbetur pa shtet, apo konflikti i Jemenit, që ka një situatë të bllokuar. Nga ana tjetër, Erdogani që kërcënon me marrje ishuj të Greqisë dhe vendosjen e 300 mijë kolonëve turq në Qipron turke, apo ardhja në pushtet në Brazil e një presidenti të ekstremit të djathtë, që mund të ndryshojë gjithë ekuilibrat gjeopolitikë të Amerikës së Jugut.

Pra, siç shihet po hyjmë në një 2019 me një potencial konfliktesh më të madh se gjithë dekada që lamë pas.

Në thelb, gjithçka do të varet edhe nga roli i liderave botërorë, nga aftësitë e tyre udhëheqëse, diplomatike dhe individuale për të bërë që bota këtë 2019 të mos ta kalojë pikën e moskthimit, pasi potenciali i konflikteve është me të vërtetë jashtëzakonisht alarmant.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN