Skuadrat shqiptare po paraqiten mirë në ndeshjet miqësoret që po zhvillojnë në Turqi, duke llogaritur që përballë kanë pasur ekipe të forta. Pas barazimit 1-1 ndaj Sivaspor, Partizani ka marrë një tjetër barazim 1-1 në miqësoren e dytë.
Në Antalya të Turqisë, ku edhe po zhvillon fazën përgatitore, skuadra e Gegës luajti përballë ekipit vendës Antalyaspor. Trajneri provoi dy formacione të ndryshme në 90 minuta, duke i ndarë sipas pjesës së parë dhe të dytë.
Kryesuesit e kampionatit shqiptar e nisën keq, pasi pas vetëm dy minutash pësuan gol nga ana e Sinikut. Titullar për të kuqtë ishte edhe afrimi i ri, Jusufi, ndërsa në fushë ishin edhe Mensah e Belica.
Partizani gjeti barazimin me Bardhin që në fillim të pjesës së dytë. Ndeshja shkoi drejt fundit jo me shumë raste për gol. Kujtojmë që Antalyaspor ka qenë ish-skuadra e Samuel Eto’o.
Po 1-1 përfundon edhe miqësorja për Kukësin, që përballë ishin rusët e Rostov, teksa një sezon më parë luajti në grupet e Champions League.
Pas humbjes 2-1 ndaj Basaksehir, verilindorët kanë pasur përballë një tjetër kundërshtar të fortë. Trajneri Armando Cungu ka menduar të bëjë ndryshime në krahasim me ndeshjen e fundit, duke e nisur në sulm me Vasil Shkurtajn.
Kukësi ka pësuar gol në minutën e 17-të nga Gulevski, por Çyrbja ka barazuar rezultatin në 1-1 në minutën e 37-të. Pjesa e parë dhe e gjithë ndeshja është mbyllur në barazim 1-1.