Partizani ka marrë një nga fitoret më të vyera të këtij sezoni, duke u hakmarrë brenda në Korçë ndaj Skënderbeut, me rezultatin 0-1. Një sukses me “aromë” titulli për të kuqtë.
Skënderbeu ka pësuar një tjetër humbje në kampionat. “Ujqërit” nuk arritën t’i përgjigjeshin golit të Malës që në minutën e katërt të takimit, madje mund të ishin mposhtur edhe më thellë, nëse Telushi do të tregohej i saktë nga pika e bardhë e penalltisë në pjesën e dytë.
Të dy trajnerët aktivizuan formacionet e tyre më të mira dhe synonin që ta nisnin kampionatin në mënyrën e duhur, por në fund do të triumfonin djemtë e Skënder Gegës, një fitore mëse e merituar.
Tifozët e Skënderbeut ishin shumë të irrituar përgjatë gjithë takimit, duke hedhur shpesh drejt lojtarëve të Partizanit topa dëbore. Gjithsesi, brenda fushës së lojës ishte gjithçka korrekt dhe “Fair-Play”, me të dyja ekipet që dhanë maksimumin në fushën e lojës.
Në minutat e fundit, Lorenc Trashi u ndëshkua dhe me karton të kuq, për një ndërhyrje të ashpër në mesfushë. Me këtë triumf, Partizani vazhdon të ruajë kreun e renditjes dhe tregon dhe njëherë tjetër se janë ata favoritët kryesorë për të vënë duart te titulli kampion.
SKËNDERBEU-PARTIZANI 0-1
Mala 4′
Skënderbeu: Teqja, Vangjeli, Radas, Kaba Sambou, Abazi, Dita, Muzaka, Guedj (Taipi 46′), Gripshi, Hoxhaj, Oto Xhon (Krasniqi 67′). Trajner: Orges Shehi.
Partizani: Hoxha, Ibrahimi, Belica, Rexhepi, Trashi, Atanda, Telushi (Hebaj 81′), Asani, Kardozo (Hila 46′ – Mensah 65′), Mala, Bardhi. Trajner: Skënder Gega.
Gjyqtarë: Andi Koçi, Ermal Barushi, Fatmir Lamaj, Mateo Sadikaj;
Kartonë të verdhë: Guedj 26′, Dita 52′, Radas 52′
Karton i Kuq: Trashi 95′