Pas dy barazimeve, ka ardhur humbja e parë për Partizanin në miqësore. Të Kuqtë kanë humbur 2-1 ndaj Dinamos së Zagrebit në Turqi.
Trajneri Skënder Gega e nisi ndeshjen me formacionin më të mirë, edhe me Dukën titullar, pas krahëve të sulmuesit Bardhi. Gjërat nuk kanë shkuar mirë, pasi Telushi dhe Duka janë dëmtuar dhe shqetësojnë stafin teknik.
Në pjesën e dytë trajneri Gega ka hedhur në fushë thuajse gjithë lojtarët që kishte në dispozicion. Partizani ka kaluar në avantazh pas 11 minutash lojë me anë të Jurgen Bardhit, i cili shënoi edhe ndaj Antaliasporit pak ditë më parë.
Trajneri Gega është detyruar të bëjë një ndërrim në minutën e 20-të, kur Telushi ka lënë fushën i dëmtuar dhe vendin e tij e ka marrë Çinari. Po ashtu, në fundin e pjesës së parë është larguar edhe Duka dhe vendin e tij e ka marrë braziliani Kardozo.
Në minutën e 28-të ka ardhur goli i barazimit nga Dinamo e Zagrebit nga Moro. Pjesa e parë është mbyllur në barazim, 1-1. Dinamo ka kaluar në avantazh në minutën e 52-të me Petkoviç.
Me nisjen e pjesës së dytë, trajneri Gega ka larguar nga fushas Hilën për Rexhepin dhe më pas Bardhin pë Hebajn. Del edhe Mala, Kote në fushë. Ka minuta edhe për Mensah, i cili në minutën e 70-të ka marrë vendin e Asanit. Kalari në vend të Kardozos pak minuta nga fundi.
DINAMO ZAGREB-PARTIZANI 2-1
Moro 28′ , Petkoviç 52’/ Bardhi 11′
Ndërsa Kukësi ka fituar miqësoren e tretë në fazën përgatitore që po zhvillon në Antalia të Turqisë. Pas humbjes me Basaksehir dhe barazimin me Rostov, sot ekipi verilindor ka fituar me shifrat 2-0 ndaj Shakhter Karagandy.
Trajneri Cungu kishte bërë disa ndryshime në formacion, duke konfirmuar lënien në stol të Rexhinaldos për t’i bërë vend Shkurtajt dhe sulmuesi që iu afrua në janar ekipit gjeti shpejt rrugën e rrjetës, që në minutën e 9 të takimit.
Më pas, ai që shënoi golin e dytë ishte Arbër Çyrbja, pak minuta para fundit të pjesës së parë, duke konfirmuar se po kalon një formë të shkëlqyer. Futbollisti kishte shënuar edhe në 2 ndeshjet e mëparshme miqësore.
KUKËSI-SHAKTER KARAGANDY 2-0
Shkurtaj 9′, Çyrbja 43′