MENU
klinika

Albert Çaçi

Politika energjetike e Gjermanisë

29.01.2019 - 12:23

Gjermania është ekonomia e  katërt e botës, me një GDP prej  3,67 triliard USD për vitin e shkuar. Ajo është një nga 3 eksportuesit më të mëdhenj në botë me një vlerë 1,57 triliard dollarë, duke siguruar një surplus për vitin 2017 prej 300,9 miliard USD, një  rekord historik.

46% e GDP-së së Gjermanisë eksportohet, duke shënuar  një  tjetër rekord absolut botëror. Kjo dëshmon  një performancë të klasit të parë të gamës së mallrave që prodhon, veçanërisht të  industrisë mekanike dhe kimike  gjermane.

Por  në bazën e performancës së ekonomise gjermane, një rol vendimtar ka energjia, sidomos në industrinë kimike dhe mekanike, në të cilat ajo është lider botëror.

Politikat qeveritare në këtë fushë janë të një rëndësie jetike, pasi pikërisht  nga garantimi dhe çmimet e produkteve energjetike varet gjithë kompeticioni i prodhimeve gjermane.

Në vend të parë të shpenzimeve, si për biznesin ashtu dhe për familjet gjermane, ato për energjinë janë në vendet e para, gjë që tregon se sa delikate është politika e qeverisë në këtë fushë.

8 vjet më parë, nën shokun që shkaktoi shpërthimi i centralit atomik japonez në Fukushima, qeveria gjermane mori një  vendim drastik duke mbyllur gjysmën e centraleve atomike gjermane, të konsideruar me risk të lartë  si dhe vendosi që brenda vitit 2022 të ndalojë prodhimin e energjisë atomike, duke mbyllur përfundimisht edhe 7 centralet atomike që janë akoma në punë.

Gjithë deficiti do të kompensohej nga energjitë e tjera alternative dhe mbi të gjitha nga qymyri që do të mbante peshën për garantimin në këto 8 vitet e fundit të rritjes ekonomike konsistente të Gjermanisë.

Në fakt Gjermania  është një nga vendet në avantguardë për prodhimin e energjisë alternative si ajo diellore, eolike dhe biomasës.Këtë e dëshmon edhe fakti që për 6 mujorin e parë të vitit 2018 prodhimi i energjisë alternative arriti në 118 TWh kundrejt 114 TWh të  energjisë nga qymyri.

Por energjia alternative kushton shumë dhe prodhimi nga qymyri për çmimin nuk ka konkuRrencë, dhe për rrjedhojë preferohet nga industria gjermane në kompeticionin e saj.

Por qymyri është një nga ndotësit absolut të ambientit. Qeveria gjermane ka marrë angazhime në Konferencën e klimës në Paris për uljen e kuotës së CO2 .

Gjermania nxjerr rreth 172 milion ton qymyr në vit, dhe 150 termocentarlet e saj me qymyr, së bashku me impiantet e tjera me naftë, çlirojnë shifrën e frikshme prej  256 milion tonë CO 2, rekord absolut në Europë.

Në Gjermani  40 % e prodhimit të energjisë vjen nga termocentralet me  qymyr, kundrejt mesatares europiane prej 23 %. Në fakt kjo  industri  ka prejardhje historike, ku  ngritja e ekonomisë së fuqishme gjermane është bazuar që prej më se  një shekulli  në qymyrin dhe celikun e Ruhrit.

Por javën e shkuar qeveria gjermane mori një vendim tjetër shumë të rëndësishëm historik. Brenda vitit 2038 do të ndalohet prodhimi i energjise nga qymyri  duke mbyllur të gjithë termocentralet.

Ky vendim që sipas sondazheve mbështetet nga mbi 70% të gjermanëve (megjithëse për ekologjistët viti 2038 është jashtëzakonisht i vonuar) ka një faturë ekonomike prej rreth 80 miliard euro.

Mbi 40 miliard do të përdoren për të përballuar efektet sociale nga mbyllja e impianteve dhe minierave të linjitit sidomos në Gjermaninë Lindore  kurse rreth 40 miliard euro të tjerë do të përdoren për mos lejuar rritjen e cmimit të energjisë që ka pasoja mjaft të rënda për kompeticionin e industrisë gjermane por edhe të familjeve.

Po a është në gjendje energjia alternative të zëvendësojë qymyrin?

Në fakt këtu hyn në lojë një element tjetër, prodhimi i energjisë elektrike  dhe ngrohja e popullsisë me gazin natyror i cili do të duhet të  zëvëndësojë qymyrin.

Tashmë kuptohet qartë se përse Gjermania është jashtëzakonisht e vendosur për ndërtimin me çdo kusht të gazsjellësit Nord Stream-2, që do të sjellë nga Rusia 55 miliardë metër kub, dhe së bashku me  Nord Stream-1 do t’i çojë në 110 miliard metër kub në vit, që janë të mjaftueshëm jo vetëm për nevojat e Gjermanisë, por edhe për t’i rieksportuar në Europën Perëndimore në një biznes miliarda eurosh.

Me gjithë kundërshtimin, gati histerik të Polonisë,Ukrainës (që humbet 3 miliard euro nga tranziti) dhe vendeve baltike dhe kërcënimet jashtëzakonisht të forta për sanksione nga SHBA, që ështe pozicionuar kundër, Nord Stream 2, me një vlerë 9,5 miliard euro, vazhdon të ndërtohet me një ritëm 3 km në ditë dhe brenda vitit  2019 do të futet në punë, pasi është Gjermania që ka vendosur kështu. Pa përkrahjen e qeverisë gjermane, Rusia nuk mund ta ndërtoJë dot këtë gazsjellës.

Duket qartë se për politikën dhe pavarësinë e saj energjetike, që është baza e kompeticionit të ekonomisë së saj; Gjermania është e vendosur të mos pyesë askënd, qofshin këta edhe aleatët apo miqtë e saj.

Pavarësisht se  Nord Stream 2 konsiderohet gazsjellësi më i politizuar në botë, një gjë është e qartë; se Gjermania nuk po i bën një favor Putinit (pavarësisht se Rusia që në vitin 2018 kaloi shifrën rekord për eksportimin e  200 miliard m kub drejt Europës) do të ketë përfitime të mëdha.

Gjermania në këtë rast, (megjithëse ka në krahun e saj edhe Francën, Holandën dhe Belgjikën që do të jenë përfituese)  niset vetëm nga interesat e saj dhe gjithë kjo politikë me qymyrin e vendosur këto ditë e bën akoma më imperative importin e gazit rus krahas atij të LNG nga SHBA,  pasi përdorimi i gazit në BE deri në vitin 2030 do të rritet me 30%.

Sidoqoftë kjo politike e re energjetike e Gjermanisë, lokomotivës ekonomike të BE, që patjetër do të ndiqet në vazhdim edhe nga shtete të tjera është në thelb historike dhe inovative, pasi eleminimi i një nga produkteve më ndotës të ambientit , duke e zëvëndësuar  me energji alternative, do t’i sjellë Gjermanisë përfitime shumëdimensionale.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Albert Çaçi

Sfida e Katarit