MENU
klinika

Letërsia botërore

Princi i Poetëve, lirizmi i Pol Verlenit

08.01.2019 - 13:35

Kam ardhur unë, një jetim,

Zengjin prej syve dhe belave

Në njerëzit e kasabave

S’ma varën, s’më gjetën qesqin.

 Kam ardhur vonë a tepër shpejtë?

Ç’po bëj në botë unë i mjeri?

O shokë më mbyti qederi,

Për mua lutuni, o të drejtë!

 Pol Verleni (Paul-Marie Verlaine), shkrimtari francez i gjysmës së dytë të shekullit XX, që na la testament poezinë e tij të zhdërvjellët dhe melankolike, i përket lëvizjes së poetëve dekadentë.

Shkrimtari, konsideruar si një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të fundshekullit, lindi në 30 mars 1844 në Metz në një familje të kamur dhe mori nga prindërit një edukim fetar. Pas kolegjit,

Verleni braktisi   studimet e juridikut për të frekuentuar kafenetë dhe jetën letrare pariziane. Në vitin 1866, kur ishte 22 vjeç, publikoi “Poema saturniane”, një përmbledhje ku bie në sy influenca e Bodëlerit dhe e lëvizjes parnasiane.

Së bashku me Stefan Malarmenë dhe Sharl Bodëlerin, ai formoi të ashtuquajturën rrymë dekadente. Në vitin 1870 martohet me Matildë Mote, me të cilën pati edhe një fëmijë lindur në tetor 1871, mirëpo Pol Verleni takohet me Artur Rembon në shtator 1871, me të cilin do kalonte një marrëdhënie dashurie pasionante deri në vitin 1873. Burgoset për dy vjet dhe me punë të detyruar, për tentativë vrasje ndaj Rembosë. Rikthehet në Paris më 1882 dhe boton një vëllim mbi poetët e mallkuar.

Në një kontekst letrar të dominuar nga romantizmi dhe lëvizja parnasiane që mburr artin për art dhe punën formale, Verleni do bëj të dëgjohet një zë i rrallë. Përkundër stilit kompleks, ai kultivon natyrshmërinë, thjeshtësinë sentimentale që e bën të dalë nga një shkrim i sofistikuar parnasian, larg nga ideali i tij poetik.

Shkrimtar me udhëtime intelektuale dhe personale të trazuara, ai mbetet mishërimi i poetit të mallkuar, duke lënë pas vepra që do të kishin një ndikim të rëndësishëm në historinë letrare.

“Poemat saturniane” (1866), “Festa galante” (1869) dhe “Urtia” (1880) rrëfejnë udhëtimin e një poeti të spikatur nga melankolia, nga jeta bohemiane dhe dëshira për ta shpenguar veten nga gabimet e tij.

 

Të shumta janë poezitë e Verlenit, si: “Udhëtimi i mbramë”, “Spleen”, “Jetimi”, “Makthi”, “Bisedë sentimentale”, “Sharl Bodleri”, “Asaj që shkoi” etj. Tema e parapëlqyer e Verlenit ishte melankolia, e cila do jetë e gjithëpranishme në poemat e tij, cilado qoftë periudha.

Në to dëgjohet ngaherë britma e tij e dëshpërimit, dhimbja e një shpirti të ndjeshëm dhe të butë që ka etje për pastërti. Po ashtu edhe muzika është thelbësore në veprën e Verlenit. Mirëpo, muzika nuk është thjesht një temë e dashur për Verlenin, ajo është vetë esenca e poezisë së tij. Nuk mund të lëmë mënjanë edhe temën e dashurisë, e cila nuk është jetuar asnjëherë në tërësi tek Verleni.

Ajo ose idealizohet ose është veçse një kujtim i largët, si për shembull tek “Bashkëbisedim sentimental”, “Ëndrra familjare” etj.

Përpos gjithçkaje Pol Verleni është piktori i dritë-errësirave, gjë të cilën e dëshmon më së miri krijimtaria e autorit kryesisht me ritme të çuditshme, asonancë, me peizazhe në gjysmëngjyrë, duke afruar për shembull universin e “Romancë e pafjalë” me sukseset më të arrira impresioniste.

Nga ana tjetër, kur poeti e lëshon veten në mjeshtërinë parnasiane ose tek elokuenca, si në disa pjesë të shkruara në “Dituria”, rezultatet janë zhgënjyese. Një nga lirikët më të pastër të poetëve francezë, Verleni qe iniciatori i muzikalitetit të fjalës moderne, duke shënuar kështu tranzicionin midis poetëve romantikë dhe simbolistëve.

Poezia e tij më e mirë shkëputet nga retorika tingëlluese e shumicës së paraardhësve të tij, çka tregoi se gjuha franceze, përfshirë klishetë e përditshme, mund të komunikonte ngjyrime të reja të ndjenjës njerëzore me sugjerim dhe vagëllime të frikuar që tërheqin lexuesin duke çarmatosur intelektin e tij; fjalët mund të përdoren thjesht për tingullin e tyre për të bërë një muzikë më delikate, një magji magjepsëse më e fuqishme se domethënia e tyre e përditshme. Zbulimi i muzikalitetit të brendshëm të gjuhës franceze ishte padyshim instinktiv, por gjatë viteve të krijimtarisë së tij, gjithnjë qe një artist i ndërgjegjshëm vazhdimisht duke kërkuar të zhvillonte dhuratën e tij unike dhe të “përmirësonte” shprehjen poetike të kombit të vet.

Në vitin 1895, kur po vdiste, Verleni u zgjodh “Princi i Poetëve” nga bota letrare franceze. Disa ditë para se të vdiste , ai botoi poezinë e tij të fundit “Vdekja”. Vdiq më 8 janar 1896 në moshën 51 vjeçare nga kongjestioni pulmonar. Në kortezhin e tij mortor morën pjesë tre mijë vetë.

Verleni, ashtu si krijuesit e rrymës që ai ndoqi, përfaqëson grupin e krijuesve të kulturuar, por të thyer shpirtërisht dhe të demoralizuar.

Një gjumë i thellë i zi

Një gjumë i thellë i zi,

Më ka rënë në jetë,

Fli, moj shpresë, fli, 

Fli, dëshirë e shkretë!

 Nuk shoh më gjësend,

Të lig a të mirë,

Gjësend nuk mbaj mend…

O histori e nxirë!

 Jam djepi që gjithmonë

Një dorë tek e përkund

Te varri posi hon…

Qetësi, qetësi pa fund!

Meli Qena: Është peridha më e ndritshme e jetës time

40 vjetori i themelimit të Teatrit ‘Dodona’

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!