Kancelarja gjermane Angela Merkel do të vizitojë Athinën sot pasdite për herë të parë në gati pesë vjet, dhe do të përpiqet të bindë grekët, që të përshpejtojnë aprovimin e marrëveshjes së Prespës për emrin e Maqedonisë.
Merkel, këmbëngulja e të cilës për masat shtrënguese gjatë krizës së borxheve të Greqisë e bëri atë të papëlqyeshme nga grekët, do të inkurajojë politikanët të mbështesin marrëveshjen me Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë (FYROM) që Gjermania dhe Bashkimi Evropian shpresojnë të nxisë paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit.
Shumë grekë duan që fqinji verior i vendit të heqë dorë nga emri “Maqedoni”, duke thënë se kjo nënkupton një pretendim territorial në një krahinë veriore greke me të njëjtin emër.
Gjermania e konsideron marrëveshjen e emrit si një triumf diplomatik që hap rrugën për republikën e vogël ish-Jugosllave për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian dhe NATO dhe kufizon hapësirën për ndikimin e Rusisë në Ballkan.
Vizita do të jetë gjithashtu një mundësi t’i dhënë një shtysë marrëdhenieve greko-gjermane.
Merkel dhe Tsipras janë takuar shumë herë personalisht gjatë viteve të fundit, por kjo do të jetë hera e parë që kancelarja gjermane do të vizitojë Athinën gjatë qeverisë së Tsipras. Ai erdhi në pushtet në zgjedhjet e janarit të vitit 2015 në një fushatë të fuqishme anti-Merkel.
Çështja e reparacioneve të Luftës së Dytë Botërore për viktimat greke të okupimit brutal nazist dhe shlyerjen e një kredie që Greqia u detyrua të merrte në Gjermani në atë kohë mund të diskutohet edhe një here gjatë vizitës dy-ditore të Merkel, thanë diplomatët. Gjermania i ka hedhur poshtë kërkesat e Athinës, por presidenti grek e diskutoi çështjen kur homologu i tij gjerman vizitoi Athinën vitin e kaluar.
Partitë e ekstremit të majtë kanë bërë protesta kundër vizitës së Merkel të enjten.
Por, ndërkohë, autoritetet kanë ndaluar demonstratat në një pjesë të madhe të Athinës qendrore dhe do të mbyllin rrugët dhe stacionet e metrosë gjatë vizitës së kancelares.
Rreth 2,000 oficerë, një helikopter policie dhe dronë do të vendosen në dispozicion për vizitën, e cila do të përfundojë të premten pasdite./konica.al