MENU
klinika

Viti 2019 nis pa luhatje

Qetësohet kursi i euros

03.01.2019 - 13:34

 

Kursi i këmbimit euro-lek më në fund duket të jetë qetësuar pas luhatjeve të mëdha të fundit të dhjetorit. Sipas Bankës së Shqipërisë, në ditën e parë të këmbimeve për vitin 2019 kursi qëndroi pothuajse i palëvizshëm. Një euro këmbehej të enjten me 123.43 lekë.

Gjatë dhjetorit, euro pati një tjetër valë zhvlerësimi dhe zbriti deri në 122.7 lekë, niveli më i ulët në një dekadë. Sipas ekspertëve dhe agjentëve të këmbimit, kjo situatë erdhi prej ofertës së lartë të euros në treg, e forcuar edhe më shumë nga faktorët sezonalë.

Në gjysmën e dytë të dhjetorit, kthimi i emigrantëve për festat e fundvitit, por edhe një fluks i përkohshëm turistësh, sollën rritje të këmbimeve të euros në tregun valutor shqiptar.

Megjithatë, pas Krishtlindjeve, euro rifitoi disi terren duke arritur deri në vlerat ku edhe qëndron aktualisht.

Banka e Shqipërisë parashikon që këtë vit kursi euro-lek të jetë më i qëndrueshëm në raport me vitin 2018 dhe nuk priten luhatje të mëdha.

Ndërkohë, në ditën e parë të kursit për vitin 2019, dollari amerikan u forcua ndjeshëm me 0.74 pikë dhe u këmbye me 108.54 lekë. Ndërsa paundi britanik humbi pothuajse një pikë dhe u këmbye me 136.48 lekë.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN