MENU
klinika

Albert Çaçi

SHBA-Kinë, drejt një sfide shumëdimensionale

09.01.2019 - 09:58

Çdo veprim që ndërmerr Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është i destinuar të ketë kundërshtime të forta.

Dhe kjo vjen për shkak të mënyrës se si ai u zgjodh nga jashtë establishmentit, mënyrës së drejpërsëdrejtë me të cilën ai operon, mënyrës se si ai mbron me një vendosmëri që nuk ishte parë deri tani të gjitha premtimet elektorale, duke mos u shqetësuar aspak  për ata që nuk janë dakord, qofshin aleatë apo armiq.

Kështu ka ndodhur për shumë çështje, si  për ndërtimin e murit me Meksikën, për uljen e taksave, për qëndrimin ndaj NATO-s dhe BE, për emigrantët, për qëndrimin ndaj Rusisë dhe Iranit, për tërheqjen nga Siria dhe Afganistani, etj.

Por, në ka një çështje ku të gjithë bien dakord me të, që nga Senati, Kongresi, Pentagoni, Shërbimet Sekrete, si dhe media e fuqishme amerikane, kjo është qëndrimi ndaj Kinës.

Viti 2018, që sapo u mbyll, u karakterizua nga një rivalitet strategjik midis dy vendeve, që u pasqyrua jo vetëm në fushën ekonomike, por edhe në disa fërkime të fortë ushtarake në Detin e Kinës Jugore.

Elita politike e SHBA është shumë e shqetësuar nga roli sfidues gjithmonë në rritje i Kinës.

Dhe këtu është në lojë lidershipi global i SHBA. Në fakt Kina nuk po e synon për momentin këtë sfidë finale, por ajo hap pas hapi, me një politikë të mirë kolauduar po i afrohet me shpejtësi këtij momenti.

Ndërtimi i infrastrukturës së Rrugës së Mëndafshit, për të sfiduar rrugët detare të kontrolluara nga SHBA, sfida për dominimin e  teknologjive 5G, një riarmatim i ethshëm  dhe sjellja agresive në Detin e Kinës Jugore, afrimi me Rusinë, mbështetja e Iranit, janë disa nga  pikat ku Kina po sfidon hapur SHBA-në. 

Obama qe i pari që kuptoi qartë dhe në mënyrë korrekte se qendra gjeopolitike botërore në këtë shekull do të jetë në Lindjen e Largët. Për këtë qellim ai shpalli doktrinën e tij “Pivot to Azia”, ku qëllimi kryesor ishte kontrollimi gjeostrategjik i Kinës.

Trump e vazhdoi më tej këtë politikë të Obamës (ndoshta të vetmen), dhe vendosja e taksave doganore prej 200 miliard dollarë  ndaj eksporteve kineze, ishte hapi i parë se tashmë SHBA do të sillen ndryshe me Kinën.

Edhe tërheqja e trupave nga Siria dhe Afganistani, në luftëra të kushtueshme, pa asnjë përfitim real për SHBA, janë një  ripozicionimin strategjik të forcave të armatosura, duke patur si prioritet Paqësorin.

Think-tank amerikanë kanë  arritur në konkluzionin  që Kina duhet frenuar tani, pa arritur akoma një dimension planetar dominimi.

Në  fakt SHBA kanë bërë disa gabime strategjike në vlerësimin e Kinës. SHBA i hapën dyert me shumë bujari bashkëpunimit me Kinën, duke e lejuar atë të bëhej pjesë e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe duke mos u shqetësuar për transferimin e teknologjisë, që një Kinë e “uritur” po e gllabëronte me shpejtësi.

Në  fushën politike SHBA synonte që liberalizimi i ekonomisë dhe vendosja e ekonomisë së tregut do të çonte Kinën drejt reformave politike, duke sjellë edhe pluralizmin politik. Por, ndërkohë që Kina përfitonte nga  avantazhet e bashkëpunimit ekonomik, eci në drejtimin e kundërt me shpresat amerikane.

Jo vetëm që nuk u ndërmorr asnjë reformë politike, por përkundrazi Xi Jiping ndryshoi kushtetutën duke u zgjedhur President i përjetshëm. As Putini  që në Perëndim konsiderohet si diktator, nuk kishte guxuar të ndërmerrte  ndonjë veprim të tillë, kurse shoku  Xi, në mënyrë të butë  e kreu me shpejtësi në pothuajse indiferencën e Perendimit, që tani po përballet me një Kinë tjetër.

Së dyti, në fushën  ekonomike, SHBA, gjatë periudhës së globalizmit u ndodh në një pozicion komod, pasi duke hapur tregun amerikan për produktet kineze, Kina si kompensim  blinte bonot e thesarit duke financuar deficitin federal amerikan. Kina sot zotëron rreth 1,1 trilion  dollarë bono thesari amerikan dhe çdo manovër e saj sjell pasoja jo të vogla për sistemin financiar të SHBA.

Kjo klimë e favorshme e lejoi Kinën të bëjë një  tranformim impresionues që ajo kurrë nuk i kishte kryer në historinë e saj mijëvjeçare.

Kina tashmë  konsiderohet një potencë e plotë, pasi tashmë vendi ka një zhvillim homogjen ekonomik, jo vetëm gjatë gjithë Kinës bregdetare, tradicionalisht të zhvilluar, por edhe me Kinën kontinentale, dhe kjo ndodh për herë të parë në gjithë historinë e saj.

Kina e pas disa vitesh do tejkalojë SHBA në vlerën e  GDP edhe ne termat nominal, pasi në termat e PPA (paritet të fuqise blerëse) që tani konsiderohet e tejkaluar.

Ajo disponon mbi  3 trilion dollarë  rezerva valutore dhe juani u pranua nga FMN si valutë rezervë botërore, dhe nisi  një sfidë të  vërtetë ndaj dollarit  vitin e shkuar me  fillimin e operimit të petrojuanëve.

Një vend, që tashmë është në avantguardë të  teknollogjise 5G dhe inteligjencës artificiale  dhe sonda e fundit kineze, që u ul në hënë, tregon përparimin e saj impresionues në fushën teknologjike dhe  shkencore.

Por një sfidë të vërtetë përbën riarmnatimi i fuqishëm  i Kinës me shpenzime  kolosale ushtarake. Kina ka  projektuar  që deri në vitin 2030 të jetë një fuqi ushtarake botërore  e aftë për të mbrojtur interesat e saj në çdo pikë të globit, duke u  ndeshur me këdo.

Pikërisht në këtë moment të zhvillimit të saj, do të ketë përballë një SHBA jo dashamirëse.

Që në vitin 2018, SHBA  nisën një sulm frontal  në disa drejtime ndaj Kinës në fushën e teknologjisë, të drejtave të njeriut, rivalitetit detar, çështjes së Tajvanit, të Detit të Kinës Jugore, të pakicave ujgure etj.

Njëkohësisht, nisën një  sërë monavrash ekonomike, duke rritur taksat doganore për të frenuar eksportet kineze, duke u justifikuar me nevojën e  riballancimit të bilancit tregtar, mjaft negativ për SHBA.

Synimi është që ata t’i imponojnë Kinës kushte specifike gjeopolitike duke pranuar lidershipin global të SHBA. 

Në mënyrë të veçantë lufta tregtare  fsheh një sfidë akoma më të  madhe  për supermacinë globale në sektorin teknologjik, që është i destinuar për të influencuar ekonominë botërore në dekadat  që do të vijnë.  Xi- Jiping deklaroi që sfida më e madhe e Kinës është sot në fushën teknologjike. “Teknologjia 5G dhe inteligjenca artificiale do të  ndryshojë botën, prandaj ne do  të investojmë 150 miliard dollare në dhjetë vitet që do të vijnë, duke qenë të bindur se do realizojmë këtë objektiv për tu bërë dominuesit e saj.”

Si SHBA, ashtu dhe Kina e kanë të qartë  se sistemet 5G dhe inteligjenca artificiale do të revolucionarizojnë shumicën e gjithë sistemeve ekonomike botërore  dhe shkalla e  kontrollit të këtyre  teknologjive  do të jenë determinante për të përcaktuar nivelin  e superioritetit të  superfuqive botërore të këtij shekulli.

Arrestimi me kërkesën e amerikanëve në Kanada, muajin e shkuar, të  drejtueses kryesore të kompanisë më të madhe  kineze Huawei , e impenjuar në fushën e  5G dëshmon se në këtë front lufte  nuk do kursehet asgjë.

Pra, siç duket, viti 2109 do të jetë viti ku sfida midis SHBA dhe Kinës do të njohë një dinamikë të re, që do të projektohet edhe në vitet që do të vijnë.

Tashmë marrëdhëniet midis SHBA dhe Kinës nuk do të jenë më si më përpara.

Lufta tregtare është vetëm pararoja e një konflikti shumëdimensional. Gjithë kuadri i bashkëpunimit  tashmë ka ndryshuar, dhe  në marëdhëniet midis dy vendeve priten tensionime që mund të marrin edhe dimensione të rrezikshme për paqen globale.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Analiza/ Albert Çaçi

Plani i shekullit