Juventus tregon edhe njëherë tjetër supremacinë ndaj rivalëve italianë. Kampionët në fuqi kanë fituar 1-0 përballë Milanit, duke rrëmbyer për herë të tetë Superkupën e Italisë, më shumë se çdo ekip tjetër (Milan ka 7).
Bardhezinjtë e kanë nisur menjëherë në presion dhe rastet krijohen njëri pas tjetrit, ku vlen të përmendet gjuajtja fluturimthi e Ronaldos, që përfundoi për pak mbi tra.
Pjesa e dytë nis me një tablo tjetër. Juventus qarkullon më shumë topin, por Milan del rrezikshëm në kundërsulm dhe në një nga këto, Cutrone godet traversën. Janë minuta të mira për Milan.
Dhe kur nuk shënon, e pëson. Në minutën e 61-të, Pjanic kroson në zonë, aty ku Ronaldo zbulohet mjaft mirë dhe mposht portierin Donnarumma. Kuqezinjtë pretendojnë për jashtë loje, por goli është i rregullt.
Milan është i pafuqishëm dhe bëhet nervoz. Në minutën e 73-të, Kessie ndërhyn ashpër ndaj Emre Can dhe për pasojë vjen kartoni i kuq. Në fushë hyn edhe Higuain për Milan, por Juventus dominon dhe krijon raste.
Në fund, Milan përpiqet me gjitha mënyrat të ushtrojë presion për të shënuar golin e barazimit, por në fazën finale është i paqartë. Juventus merr Superkupën e Italisë, ndeshje që u zhvilluar në Arabinë Saudite, ndërsa Ronaldo merr trofeun e parë si bardhezi.