Këtë mëngjes, presidenti francez dhe kancelarja gjermane nënshkruan marrëveshjen e Aachen, përpjekja e fundit franko-gjermane për të patur BE-në nën kontrollin e tyre.
Zgjerimi i Traktatit të Elysee, i cili afirmoi pajtimin e dy vendeve pas luftës në vitin 1963, u nënshkrua në një ceremoni në qytetin kufitar gjerman të Aachen.
Merkel tha se traktati franko-gjerman është hapi i parë drejt një “ushtrie evropiane”, në fjalimin e saj në Aachen. Ajo shtoi se traktati përforcon “themelin e bashkëpunimit midis vendeve tona”.
Macron foli për ata që “përhapin gënjeshtra” në lidhje me traktatin. Ai tha: “Ata që harrojnë vlerën e pajtimit franko-gjerman janë duke u bërë bashkëpunëtorë të krimeve të së kaluarës. Ata që përhapin gënjeshtra janë të njëjtët njerëz që kërkojnë të përsërisin historinë tonë”.
Donald Tusk, Presidenti i Këshillit të BE, e përshëndeti marrëveshjen. Zyrtari më i lartë i bllokut tha: “Sot Evropa ka nevojë për ringjalljen e besimit në solidaritet dhe unitet”.
Traktati ka qenë burimi i shumë kritikave në të gjithë BE-në për shkak të frikës se aksi franko-gjerman po kërkon të forcojë pozitën në krye të bllokut.
Aleksandër Gauland, kreu i parlamentit të Alternativës për Gjermaninë, tha: “Presidenti francez Macron nuk mban dot rregull në vendin e tij. Protestat mbarëkombëtare në Francë kurrë nuk mbarojnë. Pra, është e papërshtatshme që ky president i dështuar vendos vizione për ne, për të ardhmen e Gjermanisë”.
Ai shtoi: “BE tani është thellësisht e ndarë. Një marrëdhënie e tillë gjermano-franceze do të na largojë edhe më tej nga evropianët e tjerë”.
Si pjesë e një përpjekjeje gjermane për të siguruar ndikim më të madh global, traktati është një lloj premtimi diplomatic se Gjermania dhe Franca do të mbeten të përkushtuara ndaj aleancës së mbrojtjes të BE-së dhe NATO-s.
Ai është gjithashtu një përpjekje për të mundur partitë euroskeptike në votimin e Parlamentit Europian në maj.
Claire Demesmay, një shkencëtare politik në Institutin Gjerman të Kërkimeve DGAP, tha: “Ne po shohim një krizë ekzistenciale sa i përket integrimit evropian, me Brexit dhe forcimin e pritur të nacionalistëve. Në këtë kontekst, konfirmimi i këtij besimi në bashkëpunimin franko-gjerman ka vlerë simbolike”. /konica.al