MENU

Ndërtimi i mureve kufitare

Trump nuk heq dorë/ Emergjencë kombëtare në Amerikë?

05.01.2019 - 10:41

Presidenti i SHBA Donald Trump ka thënë se mund të deklarojë një emergjencë kombëtare për të ndërtuar një mur kufitar SHBA-Meksikë pa miratimin e Kongresit.

Presidenti u shpreh kështu pasi u takua me demokratë të lartë, të cilët refuzuan kërkesat e tij për financim. Ai tha se ishte i përgatitur për mbylljen e pjesshme të qeverisë, tani në javën e tretë, deri në momentin e fundit.

Rreth 800,000 punëtorë federalë nuk janë paguar që nga 22 dhjetori. Ndihmësit dhe ligjvënësit do të takohen më vonë të shtunën për të zgjidhur çështjen.

Në takimin e së premtes me demokratët, presidenti republikan foli për takimin 90 minutësh në Shtëpinë e Bardhë, duke e përshkruar atë si “shumë produktiv”.

Por, kur u pyet nëse ai e kishte menduar përdorimin e kompetencave emergjente presidenciale për të anashkaluar miratimin në Kongres të fondeve, Trump tha po, e kishte menduar.

“Mund ta bëj, mund ta quajmë një emergjencë kombëtare dhe ta ndërtojmë atë shumë shpejt. Kjo është një mënyrë tjetër për ta bërë këtë”. “Jam shumë krenar për të bërë atë që po bëj”, shtoi presidenti. “Unë nuk e quaj atë një mbyllje, unë e quaj atë gjënë e duhur për të mirën dhe sigurinë e vendit tonë.”

Donald Trump thotë se mund të deklarojë një “emergjencë kombëtare” dhe të ndërtojë muret e tij të premtuara përgjatë kufirit pa miratimin e Kongresit. Por zgjidhja nuk është aq e thjeshtë. Ekzistojnë dispozita të ligjit të SHBA që e lejojnë presidentin të drejtojë projekte ushtarake gjatë luftës ose emergjencës kombëtare, por këto para do të duhej të vinin nga fondet e Departamentit të Mbrojtjes të. Një veprim i tillë mund të nxisë Kongresin, duke përfshirë edhe republikanët, që të largohen.

Demokratët, të cilët tani mbajnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, miratuan të enjten shpenzimet për të rihapur qeverinë, duke përfshirë 1.3 miliardë dollarë fonde për murin deri më 8 shkurt.

Por legjislacioni nuk mund të hyjë në fuqi nëse nuk kalon Senati i kontrolluar nga republikanët, ku lideri Mitch McConnell tha se partia e tij nuk do të mbështeste ndonjë masë pa mbështetjen e presidentit.

Republikanët kishin miratuar një projekt-ligjin fillestar prej 5 miliardë dollarësh për murin, kur ata ende kishin shumicën në parlament, por nuk mundën të marrin 60 votat e nevojshme në Senatin me 100 vende.

Demokratët duan të sigurojnë që emirantët ilegalë të mbrohen nga dëbimi, dhe kanë këmbëngulur se nuk do të mbështesin një marrëveshje mbi financimin e murit.

Ndërkohë, Presidenti Trump thotë se vendi ka nevojë për mbrojtje dhe tërhoqi vërejtjen se krimi, drogat dhe bandat po vërshojnë në Shtetet e Bashkuara nga Meksika. Ai tha të premten se qeveria nuk do të rihapet pa u zgjidhur problemi i sigurisë së kufirit, duke shtuar se mbyllja e qeverisë mund të zgjasë me muaj ose me vite nëse kjo nuk zgjidhet.

Duke iu përgjigjur gazetarëve, ai tha se një barrierë kufitare me Meksikën mund të jetë edhe prej çeliku, nuk është e thënë të jetë një mur. Ndërtimi i një muri kufitar ishte një ndër premtimet kryesore të fushatës së tij presidenciale në vitin 2016.

Presidenti Trump tha se më shumë se 35 milionë emigrantë të paligjshëm gjenden në Shtetet e Bashkuara. Shifra e dhënë prej tij nuk përputhet me vlerësimin e ekspertëve, që pohojnë se ky numër është shumë më i vogël./konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN