Kanë përfunduar dy ndeshjet e së martës në Champions League, teksa të dyja janë mbyllur me rrjeta të paprekura. Kështu, Liverpool-Bayern Munchen dhe Lyon-Barcelona mbyllen 0-0.
Kjo do të thotë se gjithcka do të vendoset në ndeshjet e kthimit. Ndoshta për Barcelonën duket e thjeshtë, ndërsa sfida tjetër pritet të jetë shumë më e luftuar në kthim.
Liverpool ka dominuar ndaj Bayern-it, sidomos në pjesën e dytë, por pa mundur dot të gjejë rrugën e rrjetës. Ndërsa gjermanët pak kanë bërë për të ndëshkuar të kuqtë.
“Anfield” mbetet i mallkuar për gjermanët, të cilët nuk kanë shënuar asnjë gol në katër ndeshjet e fundit të luajtura aty. Bayern, nga ana tjetër, mbetet një ekip i vështirë për trajnerin e “Të Kuqve”, Jurgen Klopp, i cili ka pësuar 16 humbje.
Ashtu siç pritej, Barcelona e ka pasur shumë të vështirë ndaj Olympique Lyon në Francë. Trajneri katalanas Ernesto Valverde futi në fushë formacionin më të mirë ndaj francezëve që këtë sezon kanë mposhtur Manchester City në Champions dhe PSG në kampionat.
Mundësitë për të shënuar ishin, si për vendasit, ashtu edhe për miqtë, por asnjë prej portierëve nuk e ka nxjerrë topin nga rrjeta e tij.