Barcelona është ndalur në kampionat, pikërisht në transfertë, duke mos shkuar më shumë se një barazim 0-0 ndaj Athletic Bilbao, duke qenë tashmë vetëm 6 pikë larg Realit të vendit të dytë.
Të besuarit e Ernesto Valverde-s mund ta kishin humbur takimin, po të mos ishte për portierin gjerman Andre ter Stegen. Miqtë kishin mbajtjen e topit, por vendasit ishin më të rrezikshëm dhe kanë goditur portën pesë herë, teksa Barça vetëm një herë.
Messi duket që nuk është në formën e tij më të mirë fizike dhe mbase do të kishte qenë më mirë të mos luante këtë ndeshje.
Ter Stegen ka pritur 27 nga 31 goditjet në kuadrat për Barcelona-n në La Liga (katër gola të pësuar). Një nga pikat më të forta të ekipit.
Me këtë barazim Barça shkon në kuotën e 51 pikëve, gjashtë më shumë se Real Madrid që është ngjitur në vend të dytë pas fitores ndaj Atletico Madrid.