MENU
klinika

Bundesliga, Java 21

Dramatike për Dortmund, nga 3-0 në 3-3

09.02.2019 - 17:28

Një ndeshje dramatike është regjistruar sot në “Signal Iduna Park”, kur Borussia Dortmund është ndalur në 3-3 me Hoffenheim, por surpriza qëndron se verdhezinjtë po udhëhiqnin 3-0.

Ishte Sancho ai që në minutën e 32-të kalon verdhezinjtë në avantazh, ndërsa Gotze ngre entuziazmin në “Signal Iduna Park” në minutën e 43-të, teksa shënon edhe golin e dytë.

Pjesa e dytë duket më e qetë dhe janë vendasit ata që kontrollojnë ndeshjen. Në minutën e 67-të, Guerreiro shënon golin e tretë, që praktikisht u quajt i nokautit.

Por jo, miqtë arrijnë të shënojnë në minutën e 75-të me anë të Belfodil, që në to minuta u quajt gol nderi. Hoffenheim hyn në lojë në minutën e 83-të, kur Kaderabek ngushton në 3-2.

Pa kaluar as 4 minuta, ndodh ajo që nuk mendohej, miqtë barazojnë në 3-3. Është sërish Belfodil që u shënon vendasve, duke surprizuar Dortmund, pikërisht atëherë ku verdhezinjtë menduar se e zgjidhën ndeshjen.

Një ndalesë që mund t’i kushtojë Dortmundit, pasi nëse Bayern Munchen fiton në shtëpi me Schalke-n (ora 18:30), atëherë diferenca do të ngushtohej në 5 pikë.