Klubi i Partizanit ka reaguar nëpërmjet një deklarate pas incidenteve ditën e djeshme, ku disa tifozë goditën fotografin e Flamurtarit brenda në fushë.
Ekipi i kuq distancohet nga kjo dhunë dhe përgëzon grupimet e tifozëve për qëndrimin e mbajtur.
Por, nga ana tjetër shprehet se emri i këtij “personi me aparat fotografik” nuk figuron në listën e fotoreporterëve të akredituar për këtë takim dhe se ai ka provokuar ata individë që iu afruan.
DEKLARATA E PARTIZANIT
“FK Partizani distancohet nga incidenti i ndodhur ditën e djeshme gjatë takimit Partizani – Flamurtari, i cili absolutisht nuk mund të jetë pjesë e lojës së futbollit dhe “Fair Play”.
Politika e qartë dhe e vendosur e klubit përgjatë gjithë këtij sezoni është dhe mbetet që 90 minutat e lojës të dhurojnë një atmosferë të vërtetë sportive, për ta bërë futbollin pjesë të jetës së familjeve shqiptare, sa më larg dhunës dhe provokimeve.
Sot kemi ndjekur me vëmendje pasqyrimet në media dhe reagimet në lidhje me këtë incident, ku përgëzojmë grupimet tona zyrtare për qëndrimin e mbajtur në dënimin e çdo akti që nuk është pjesë e spektaklit të bukur të futbollit.
Dëshirojmë të saktësojmë se autorë të këtij incidenti ishin disa individë të cilët kurrsesi nuk mund të përgjithësojnë tifozërinë e madhe të Partizanit, e cila u distancua menjëherë dhe në stadium nga këta individë që nuk dimë se interesat e cilës palë përfaqësojnë.
Gjithsesi, nëpërmjet pamjeve filmike të pasqyruara shihet qartë se “personi me aparat fotografik” ka luajtur një rol aktiv duke provokuar individët që ju afruan, në mungesë totale të forcave të sigurisë të cilët janë përgjegjesit e vetëm për mbarëvajtjen e garës dhe mos lejimin e këtyre provokimeve dhe incidenteve.
Në media është pasqyruar se është goditur një zyrtar i klubit të Flamurtarit, ndërkohë që emri i këtij personi nuk figuron në listën e foto reporterëve të akredituar për këtë takim. Ndaj mbetemi ende të paqartë se çfarë funksioni ka në klubin Flamurtari personi i cili u përfshi në këtë incident.
Nga ana jonë saktësojmë se ne si klub kemi një bashkëpunim të vazhdueshëm me tifozërinë tonë, e cila shquhet për mbështetjen ekzemplare që i jep skuadrës si në shtëpi ashtu dhe jashtë saj.
Klubi i Partizanit është distancuar historikisht e dënuar çdo lloj dhune të shfaqur në stadiumet tona, pavarësisht se ku ndodhin, në Tiranë, Korçë, Kukës, Laç, apo gjetiu. Ne jemi dhe do vazhdojmë të mbetemi partizanë të vërtetë të “Fair Play”-it për një futboll të bukur e gjithëpërfshirës.”