Është fakt që në Shqipëri janë rikonstruktuar thuajse totalisht dy nga stadiumet që i ka dhënë jehonë futbollit shqiptar, “Ruzhdi Bizhuta” i Elbasanit dhe “Loro Boriçi” i Shkodrës.
“Elbasan Arena” u kthye shumë shpejt në shtëpinë e Kombëtares dhe nuk harrohen aty sfidat me kundërshtarë nga më prestigjozët. Po ashtu, edhe në Shkodër mbeten në memorie ndeshjet me Spanjën e Italinë.
Por nëse Kombëtarja është sistemuar, ndryshe ndodh për dy skuadrat historike, më të vjetrat e futbollit shqiptar, Vllaznia dhe Elbasani, të dyja me traditë dhe me trofe të shumtë.
Dy ekipet me traditë nuk mund të luajnë dot në stadiumet e qytetit. Edhe pse janë ndërtuar dy impiante realisht moderne në këto qytete, ekipeve nuk u jepet mundësia që të zhvillojnë ndeshjet e tyre në këto fusha.
FSHF-ja ndoshta me të drejtë mund të thotë që klubet nuk i mbajnë dot këto stadiume, ndaj edhe ka zgjedhur që t’i vetëmenaxhojë dhe rrjedhimisht është shndërruar në pronare.
Por natyrshëm lindin pyetjet: Për çfarë ndërtohen kur klubet tona nuk kanë asnjë të drejtë mbi këto impiante? A është kjo mënyra e duhur për të menaxhuar një stadium?
Vllaznia është zhvendosur në “Reshit Rusi” dhe Elbasani në “Shefqet Lamçja”. Vërtet ata sot militojnë në Kategorinë e Parë, por janë dy ekipe me tifozëri të madhe.
Futbolli luhet për tifozët dhe, nëse nuk mund t’u krijosh kushte tifozëve, kur impiantet janë, si mund të pretendohet të rritet numri i spektatorëve.
Ndërkohë, në “Elbasan Arena” ka luajtur Kukësi, Laçi, Korabi, Partizani e shumë skuadra të tjera, qofshin edhe të rinjsh, por jo Elbasani, skuadra e zemrës së tifozëve të këtij qyteti, 2 herë kampionia e vendit.
FSHF nuk lë as Vllazninë në mitikun “Loro Boriçi”, një nga skuadrat me tifozërinë më të zjarrta në Shqipëri, me pretekstin se aty do luhet Shqipëri-Turqi. Por ndeshja është pas një muaji e ca…
Në impiantet ku luajnë aktualisht dy skuadrat legjendare kushtet janë skandaloze. Tani të presim çdo të ndodhë me “Arenën Kombëtare”, ndoshta edhe aty s’do të ketë mundësi të luajë Partizani apo Dinamo, dy ekipe të tjera legjendare që nuk kanë stadium.