Bota e futbollit sot është tronditur nga një tjetër ngjarje tragjike, kur zjarri që përfshiu kampin stërvitor të klubit brazilian, Flamengo, vrau 10 persona dhe tre të tjerë mbetën të lënduar.
Njëri nga këta tre persona, Felipe, që i mbijetoi këtij zjarri ka rrëfyer për ngjarjen: “Zjarri ndodhi në dhomën time, kështu që unë duhet vetëm ta falënderoj Zotin që u zgjova dhe i shpëtova vdekjes. Zoti i ngushëlloftë vëllezërit e mi”.
Edhe një tjetër i mbijetuar nga ky makth e ka rikujtuar për mediet ngjarjen, duke treguar se kishte qenë në gjumë kur kishte filluar zjarri.
“Isha duke fjetur në atë moment dhe e nuhata një aromë të fortë djegie. Mendova se telefoni im ishte vënë në zjarr. Kur u ngrita, e pashë zjarrin dhe tymi më hyri në sy. Unë kërkova ndihmë duke qarë dhe pastaj fillova të vrapoj”, – ka thënë Samuel.
Ndër dhjetë personat e vdekur ishin gjashtë futbollistë të rinj dhe katër anëtarë të stafit të klubit, ndërsa tre të mbijetuarit janë duke marrë trajtim në qendra mjekësore.
Zjarri kishte filluar në dhomën ku zakonisht flenë futbollistët, në kampin stërvitor të klubit. Departamenti lokal i zjarrfikësve ka bërë të ditur se tani gjendja është nën kontroll.
Policia braziliane ka arritur të identifikojë viktimat e kësaj tragjedie që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit. Mes të vdekurve, janë 4 futbollistë nga akademia e Flamengos të cilët janë rreth moshës 14-17 vjeç.
Njëri prej tyre, Artur Vinicius, do të festonte nesër ditëlindjen e tij të 15, por fatkeqësisht ka ndërruar jetë. Bëhet fjalë edhe për 2 atletë të cilët ishin në provë dhe për 4 zyrtarë të klubit.