Elseid Hysaj është rikthyer titullar në radhët e Napolit, që është “hakmarrë” për humbjen 0-3 në javën e tretë në Genoa. Napoli fitoi po 3-0 sot ndaj Sampdorias, duke u afruar me 8 pikë me Juven kryesuese.
Praktikisht ndeshja është vendosur në harkun e dy minutave, në të 25-n dhe të 26-n. Së pari, shënoi Milik, ndërsa në aksionin e ardhshëm Insigne shënon edhe të dytin.
Napoli mund të kishte shënuar edhe të paktën dy gola në pjesën e parë, por edhe me fillimin e së dytës sulmuesit vendës kanë humbur disa raste.
Më pas Napoli sikur ul disi ritmin, Sampdoria përpiqet të përfitojë, por nuk arrin të shënojë një gol që të paktën të rifutej në lojë për një pikë. Ndërsa në fund Verdi “vret” ndeshjen me golin e tretë e shënuar nga penalltia.
Hysaj luajti 90 minuta të plota, ndërsa Napoli duket komod në vendin e dytë, duke menduar tashmë vetëm për Europa League, pasi është eliminuar nga Kupa e Italisë.